Aksidenti në autostradën Tiranë-Elbasan/ Personat në betoniere, shtetas egjiptianë. Shoferi i “Audi-t” një 28-vjeçar (EMRI+PAMJE)
Një aksident i rëndë është regjistruar tek rrethrrotullimi i TEG-ut. Një betoniere ka rënë nga lartësia pasi është përplasur me ‘Audin’.
Nga aksidenti i rëndë ka humbur jetën një person që ndodhej në betoniere, ndërsa është plagosur edhe personi tjetër që ndodhej në mjetin e tonazhit të rëndë. Po ashtu nga përplasja ka mbetur i plagosur edhe drejtuesi i ‘Audit’.
Sipas informacioneve viktima dhe personi tjetër që ndodhej në kamion janë shtetas egjiptian. Ndersa 28 vjeçari i plagosur është Roland Nuri.
Njoftimi:
Tiranë/Informacion paraprak
Rreth orës 16:20, te rrethrrotullimi i TEG-ut, një kamion (pompë betoni) është përplasur me një automjet.
Si pasojë e përplasjes, kamioni (pompë betoni) ka çarë barrierat metalike mbrojtëse të rrethrrotullimit dhe ka rënë në nivelin e poshtëm të aksit rrugor TEG–Elbasan, në drejtim të Elbasanit.
Për pasojë, njëri prej personave që udhëtonte në kamion (pompë betoni) dyshohet se ka humbur jetën në vendngjarje, ndërsa personi tjetër është transportuar në spital, në gjendje të rëndë shëndetësore.
Dy personat që ndodheshin në kamion (pompë betoni) janë ende të paidentifikuar dhe po punohet për përcaktimin nëse personi që ka humbur jetën në vendngjarje ishte drejtuesi i kamionit apo ishte personi që ndodhet në spital.
Ndërkohë, drejtuesi i automjetit tjetër, shtetasi R. N., rreth 28 vjeç, është dërguar në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për sqarimin e plotë të rrethanave dhe shkakut të aksidentit.

