AKSIDENT NË KUKËS/ Humbi kontrollin e makinës, dy fëmijët mbeten të lënduar

Një aksident rrugor është regjistruar mesditën e sotme në qytetin e Kukësit, ku dy fëmijë kanë mbetur të dëmtuar lehtë pas përplasjes së automjetit me një mur.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:30 në rrugën “Dituria”. Sipas të dhënave paraprake të policisë, drejtuesja e automjetit, shtetasja me inicialet V. D., dyshohet se ka humbur kontrollin e mjetit gjatë lëvizjes.
Si pasojë, automjeti ka dalë nga rruga dhe është përplasur me murin e një subjekti pranë aksit rrugor.
Nga përplasja kanë mbetur të dëmtuar lehtë dy pasagjerët e makinës, fëmijët e drejtueses, të moshave 10 dhe 7 vjeç.
Të miturit janë transportuar për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore dhe pas trajtimit janë larguar për në banesë.
Në vendngjarje ka mbërritur grupi hetimor, i cili po punon për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e plota të aksidentit.


