Nga policia në fushë te “Dora e Zotit”, Arben Sorra risjell historikun e përballjeve Angli - Argjentinë

Historia mes Anglisë dhe Argjentinës në fushën e blertë është e mbushur me drama, tensione politike dhe momente që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në botën e futbollit.

Teksa tifozët bëhen gati për një tjetër përballje të zjarrtë mes dy gjigantëve, një vështrim në të shkuarën zbulon se ky nuk është kurrë një takim i zakonshëm.

Arben Sorra, Mjeshtër i Madh, i ftuar në emisionin “Ora e Botërorit” në “Ora Neës” u shpreh se rikthimi në kohë nis me ndeshjen e famshme të vitit 1966, e cila u vendos nga një gol me kokë i Hurst në minutat e fundit.

Por ajo që e bëri atë përballje vërtet të paharrueshme ishte një incident i paprecedentë në fushë. Pas një kartoni të kuq të dhënë nga arbitri gjerman, mesfushori argjentinas refuzoi të braktiste lojën, duke bërë që të ndërhynte policia për ta nxjerrë jashtë stadiumit.

Tensioni u zhvendos nga fusha në gjeopolitikë gjatë vitit 1982. Pushtimi i ishujve Falkland solli një krizë të thellë që preku drejtpërdrejt sportin. Lojtarë të njohur argjentinas si Osvaldo Ardiles, i cili shkëlqente me Tottenham Hotspur, u detyruan të braktisnin futbollin anglez si pasojë e atij konflikti.

Katër vite më vonë, në vitin 1986, bota e futbollit u bë dëshmitare e një prej ndeshjeve më legjendare, të dominuar nga gjenialiteti dhe dinakëria e Diego Armando Maradonës. Me "Dorën e Zotit" që tronditi themelet e sportit dhe me një gol të dytë të jashtëzakonshëm, u shkrua një tjetër kapitull epik. Ish-trajneri i Anglisë, Bobby Robson, la pas një shprehje që e përkufizon më së miri atë moment: "Nëse te goli i parë e ndihmoi Zoti, te goli i dytë ai i iku Anglisë nga veriu në jug."

Sot, me dy ekipe me lojtarë të rinj në moshë, kjo përballje pritet të jetë po aq e fortë dhe e paparashikueshme. Nuk do të jetë thjesht një lojë taktikash, por një betejë e vërtetë ku pesha e historisë rëndon mbi çdo lëvizje dhe ku asgjë nuk do të shkojë sipas parashikimeve të zakonshme.

PËR MË SHUMË NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “ORA E BOTËRORIT”

EMISIONET