“Ka bërë një mal me gola”/ Rajta: Harry Kane meriton Topin e Artë, por i duhet vetëm një trofe

I ftuar në emisionin “Ora e Botërorit” në Ora News, gazetari sportiv Nikoll Rajta ka komentuar zhvillimet e fundit të Kampionatit Botëror, pritshmëritë për fazën finale dhe garën e yllit anglez Harry Kane për një trofe të madh individual.

Rajta u ndal te paraqitja e sulmuesit anglez, i cili pas një sezoni me shumë gola dhe paraqitje vendimtare me Bayern Munich dhe kombëtaren e Anglisë, shihet përballë një mundësie të madhe për të fituar Topin e Artë.

Sipas tij, ky Botëror mund të jetë mundësia e fundit që Kane të sigurojë trofeun që i mungon në karrierë.

“Dëshira është që Harry Kane ta mbyllë me një Botëror, sepse do ta ndihmonte ndoshta për të fituar edhe Topin e Artë. Është një lojtar që e meriton këtë sezon, ka bërë një mal me gola dhe ka qenë vendimtar në shumë ndeshje”, u shpreh Rajta.

Ai u ndal edhe te detajet jashtë fushës, duke sjellë në vëmendje simbolin e vendosur në veshjen e tij gjatë emisionit. Në krahun e majtë të xhaketës ishte vendosur figura e Çerçiz Topullit, një homazh për heroin kombëtar shqiptar.

Rajta shpjegoi se zgjedhja lidhej me faktin se Topulli ka rënë dëshmor gjatë muajit korrik, në kufirin me Malin e Zi, në zonën e Shkodrës.

 

EMISIONET