Si Plarent Ndreca ia futi Veliajt/ Ja si mashtron në media

Këto dy ditë po spekulohet paturpësisht nga një “avokat” i pandehur dhe veglat mediatike të Erion Veliajt. Thelbi i gjithë kësaj që shohim është si u kthye një afat procedural në një spektakël mediatik të varfër.
Kjo histori e stisur përmban një fakt kokëfortë që nuk ndryshon as me konferenca shtypi, as me kronika televizive, as me postime në rrjete sociale apo hartime disaorëshe të një të pandehuri që shërben si avokat dhe ia "fut" klientit të tij.
Më 16 qershor 2026, në seancën gjyqësore ndaj Erion Veliajt, i pandehuri Plarent Ndreca deklaroi se kishte rezerva ndaj njërit prej anëtarëve të trupit gjykues, gjyqtares Flora Hajredinaj. Deri këtu, gjithçka është brenda rregullave procedurale.
Por pikërisht këtu fillon problemi.
Neni 19, pika 2 e Kodit të Procedurës Penale, është i qartë. Kërkesa për përjashtimin e gjyqtarit duhet të paraqitet brenda tri ditëve nga momenti procedural i parashikuar nga ligji, konstatimi i shkakut të përjashtimit. Jo katër. Jo pesë. Aq më pak dhjetë.
Por çfarë ndodhi në këtë rast? Kërkesa për përjashtimin e gjyqtares, e bërë nga i pandehuri Plarent Ndreca, u depozitua vetëm më 26 qershor 2026. Pra, jo tri ditë më pas, por dhjetë ditë më vonë. E di Erion Veliaj këtë apo jo, nuk e dimë, por po nuk e di, Ndreca ia ka "futur" pak këtu.
Sikur të mos mjaftonte kjo, gjykata konstatoi edhe një mangësi tjetër elementare. Kërkesa nuk ishte shoqëruar me prokurën përkatëse, siç kërkon shprehimisht neni 19, pika 4 e Kodit të Procedurës Penale. Vetë ligji parashikon se, në mungesë të këtij dokumenti, kërkesa nuk pranohet.
Rezultati? Gjyqtari i caktuar me short bëri pikërisht atë që e detyron ligji të bëjë. Kërkesa nuk u pranua sepse ishte paraqitur jashtë afatit ligjor dhe pa dokumentacionin e detyrueshëm. Kaq është historia juridike. Tani ose Erioni e di dhe e kanë bërë bashkë të gjithë veprimin dhe thjesht janë në skenarin dhe "show"-n e radhës, ose Erioni nuk di gjë dhe Ndreca ia ka "futur" pak. IÇIK.
Por historia mediatike mesa duket është krejt tjetër.
Papritur, ajo që ishte një kërkesë e paraqitur me vonesë nga Plarent Ndreca dhe në kundërshtim me kërkesat formale të ligjit, u shndërrua në një “padrejtësi të madhe”. U krijua përshtypja sikur gjykata kishte refuzuar të shqyrtonte një kërkesë të rregullt, ndërkohë që vendimi tregon të kundërtën. Pra, është e qartë se problemi nuk ishte gjykata, por mënyra se si ishte paraqitur vetë kërkesa.
Këtu lind pyetja që nuk mund të shmanget.
Kaq idiotë i duken të gjithë këtij biçim “avokati” të pandehur? Ose pyetja tjetër, ligji vlen për gjithë pjesën tjetër të popullatës dhe nuk vlen për të pandehurit Veliaj dhe Ndreca?
Si është e mundur që një "avokat" të humbasë një afat procedural kaq elementar dhe, njëkohësisht, të mos respektojë edhe kërkesat formale më elementare të ligjit?
Nëse kjo ka ndodhur nga paaftësia (këtë thonë shpesh në fakt kolegët për këtë tipin) atëherë kemi të bëjmë me një gabim procedural të rëndë që i ka kushtuar vetëm Erionit, këtu qëndron dhe "futja".
Nëse, përkundrazi, strategjia ka qenë që më pas refuzimi të paraqitej në publik si provë e një “padrejtësie të kobshme”, atëherë kjo është një taktikë e dështuar dhe e shndërruar tashmë në një refren, por që nuk ndryshon dot përmbajtjen e dosjes.
Sepse në çdo proces të mëvonshëm, përfshirë edhe para Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, do të shihet pikërisht ajo që ndodhi në realitet. Afatet, dokumentet e depozituara dhe arsyetimi i gjykatës.
Propaganda e Plarent Ndrecës mund të funksionojë në studio televizive shërbëtore të Erion Veliajt. Në dosje, flasin dokumentet.
Dhe dokumentet, në këtë rast, tregojnë se nuk ishte gjykata ajo që nuk respektoi ligjin, por i pandehuri Plarent Ndreca me kërkesën e tij që nuk respektoi kushtet e ligjit.
Në fund, humbësi më i madh nuk është gjykata dhe as opinioni publik. Humbësi është vetë Erion Veliaj, le pastaj të ta "futë" dhe Ndreca.
Sepse asnjë strategji mediatike nuk mund të korrigjojë një afat procedural të humbur. Asnjë deklaratë televizive nuk mund të zëvendësojë një prokurë që ligji e kërkon të depozituar. Dhe asnjë narrativë politike nuk mund të fshijë atë që është e shkruar bardh e zi në vendimin e gjykatës. Në gjykatë fitohet me ligj. Jo me konferenca për shtyp të bëra bozë tashmë./ Marrë nga CNA.al


