ITALIA ZGJEDH DREJTUESIT! Paolo Maldini mbetet kandidati kryesor për drejtor teknik
Federata Italiane e Futbollit pritet të emërojë brenda një jave drejtorin teknik dhe trajnerin e ri të kombëtares. Sipas mediave italiane, Paolo Maldini është favorit për postin e drejtorit teknik, ndërsa Antonio Conte kryeson garën për pankinën e Italisë.

Federata Italiane e Futbollit po hyn në fazën vendimtare të riorganizimit të kombëtares, pas një periudhe të vështirë të shoqëruar me mungesën në Botëror për 12 vjet. Sipas mediave italiane, presidenti Giovanni Malagò synon të emërojë brenda një jave drejtorin teknik dhe trajnerin e ri të Italisë.
Prioriteti i federatës mbetet zgjedhja e drejtorit teknik. Emri që kryeson listën është Paolo Maldini, për të cilin raportohet se ekziston konsensus i plotë. Ish-kapiteni dhe ish-drejtuesi i Milanit, i cili fillimisht ishte skeptik ndaj këtij roli, thuhet se ka zbutur qëndrimin e tij dhe pritet të marrë një vendim përfundimtar pas disa ditësh reflektimi.
Nëse Maldini refuzon ofertën, federata pritet të ndajë funksionet mes disa figurave të njohura të futbollit italian. Mes emrave të përmendur janë Claudio Ranieri, Gianluigi Buffon, Demetrio Albertini dhe Alessandro Costacurta.
Për postin e trajnerit, Antonio Conte konsiderohet aktualisht favoriti kryesor, duke kaluar Roberto Mancinin në preferencat e drejtuesve të federatës. Megjithatë, pengesa kryesore mbetet aspekti financiar. Conte kërkon një pagë prej më shumë se 4 milionë eurosh në sezon, plus bonuse, ndërsa Federata po shqyrton mundësi të ndryshme financimi.
Sipas raportimeve, një nga zgjidhjet mund të vijë nga Lega Serie A, ku presidenti i Interit, Giuseppe Marotta, ka propozuar një skemë financimi që do të diskutohet në mbledhjen e 23 korrikut. Një alternativë tjetër mbetet sigurimi i mbështetjes nga sponsorë privatë, një formulë e përdorur edhe në vitin 2014.
Edhe pse Antonio Conte mbetet kandidati kryesor dhe ka shprehur gatishmëri për t'u rikthyer në stolin e Italisë, Roberto Mancini vazhdon të mbetet një alternativë, falë kërkesave më të ulëta financiare, pavarësisht debatit që shoqëroi largimin e tij nga kombëtarja në vitin 2023.


