Interi gati revolucionin në mbrojtje, John Stones pranë firmës dhe Romero objektivi kryesor

Interi ka hyrë në një fazë vendimtare të merkatos së verës, me objektivin për të përforcuar repartin defensiv për sezonin e ri. Pas ndryshimeve në prapavijë, drejtuesit zikaltër po punojnë për t’i vënë në dispozicion trajnerit Cristian Chivu dy qendërmbrojtës me eksperiencë dhe nivel të lartë.
Në krye të listës së dëshirave janë John Stones dhe Cristian Romero, dy emra që mund t’i japin një tjetër profil mbrojtjes së Interit.
Sipas mediave italiane, Interi ka përshpejtuar kontaktet për John Stones, i cili është pa skuadër pas përfundimit të kontratës me Manchester Cityn. Giuseppe Marotta dhe Piero Ausilio po punojnë për të mbyllur marrëveshjen me mbrojtësin anglez, ndërsa në garë për të mbeten edhe Chelsea, Arsenal dhe Juventusi.
Aktualisht, zikaltërit konsiderohen favoritë për të siguruar firmën e 31-vjeçarit.
Ndërkohë, Interi nuk ka hequr dorë nga Cristian Romero. Mbrojtësi argjentinas i Tottenhamit vazhdon të jetë objektivi kryesor për qendrën e mbrojtjes, ndërsa lojtari raportohet se është i hapur për një largim nga klubi londinez.
Negociatat për Romeron janë më të vështira, pasi Tottenham vlerëson kartonin e tij rreth 40-45 milionë euro. Një tjetër pengesë mbetet paga e futbollistit, që arrin në rreth 6.5 milionë euro në sezon, shifër që Interi synon ta menaxhojë përmes një kontrate më afatgjatë dhe bonusesh të lidhura me performancën.
Nëse arrin të finalizojë transferimin e John Stones dhe Cristian Romeros, Interi do të ndërtojë një repart mbrojtës me shumë cilësi dhe eksperiencë, duke i dhënë Cristian Chivut më shumë alternativa për objektivat e sezonit të ri në Serie A dhe në arenën evropiane.


