Franca mbyll me fitore perfekte grupin, Dembele shkëlqen me tregolësh ndaj Norvegjisë

Franca ka siguruar vendin e parë në Grupin I të Kupës së Botës 2026, pasi mposhti bindshëm Norvegjinë me rezultatin 4-1 në ndeshjen e zhvilluar në Massachusetts.
Ylli i mbrëmjes ishte Ousmane Dembele, i cili realizoi një tregolësh spektakolar gjatë pjesës së parë, duke i dhënë “Gjelave” kontroll të plotë të takimit. Norvegjezët gjetën golin e vetëm me Thelo Aasgaard në minutën e 21-të, por nuk arritën të rivalizonin me ritmin e francezëve.
Në startin e pjesës së dytë, skuadra nordike pati mundësinë të rikthehej në lojë, por Jorgen Larsen shpërdoroi një penallti të fituar pas ndërhyrjes së Theo Hernandez në zonë. Në minutat shtesë, Desire Doue vulosi suksesin e Francës me një gol me kokë pas asistit të Bradley Barcola.
Me këtë triumf, Franca e mbyll fazën e grupeve me pikë të plota, 9 në total, ndërsa Norvegjia renditet e dyta me 6 pikë dhe avancon gjithashtu në fazën e ardhshme.
Në ndeshjen tjetër të grupit, të luajtur në Toronto, Senegali regjistroi një fitore të thellë 5-0 ndaj Irakut. Afrikanët e përfunduan grupin me 3 pikë dhe mbajnë gjallë shpresat për kualifikim si një nga tetë skuadrat e vendeve të treta me bilancin më të mirë.

