Collina: Arbitrat nuk janë ndikuar nga asnjë, as nga Infantino!

Shefi i arbitrimit të FIFA-s, Pierluigi Collina, ka mbrojtur integritetin e gjyqtarëve të Botërorit 2026, duke theksuar se askush nuk mund të vërë në dyshim pavarësinë e tyre apo të pretendojë se vendimet ndikohen nga faktorë të jashtëm, përfshirë edhe presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino.
Në një intervistë për faqen zyrtare të FIFA-s, Collina deklaroi se Infantino ka treguar vazhdimisht mbështetje të plotë për ekipin e arbitrave, duke besuar në aftësinë e tyre për të vepruar në mënyrë tërësisht të pavarur.
“Gjyqtarët marrin vendime me mirëbesim dhe, njësoj si futbollistët dhe trajnerët, përpiqen gjithmonë të japin maksimumin në fushë”, u shpreh ai.
Duke bërë një bilanc të fazës së deritanishme të Kupës së Botës, Collina vlerësoi se në përgjithësi niveli i arbitrimit ka qenë pozitiv.
“Në tërësi jemi të kënaqur. Megjithatë, kur zhvillohet një numër kaq i madh ndeshjesh në një periudhë relativisht të shkurtër, është normale që jo gjithçka të shkojë sipas planit”, tha ai.
Një nga episodet më të diskutuara ishte goli i anuluar i Egjiptit në ndeshjen e 1/8-ve të finales kundër Argjentinës, takim që përfundoi me fitoren 3-2 të amerikano-jugorëve dhe shkaktoi polemika të shumta.
Sipas Collinës, anulimi i golit ishte plotësisht i drejtë. Ai shpjegoi se lojtari Attia kishte shkelur qartë në këmbën e Lisandro Martínez gjatë fazës së ndërtimit të aksionit.
“Pas çdo goli, sistemi VAR kontrollon fazën e posedimit të topit në sulm. Nëse konstatohet një faull gjatë ndërtimit të aksionit dhe vlerësohet se ai ka ndikuar në realizimin e golit, VAR rekomandon rishikimin e vendimit. Nuk ekziston një kufi i përcaktuar as për distancën nga porta dhe as për kohën që kalon mes episodit dhe shënimit të golit”, sqaroi Collina.
Ai theksoi se, bazuar në rregullat e FIFA-s, vendimi i arbitrit francez François Letexier për të anuluar golin e Egjiptit ishte i saktë.


