Tenderi 3.8 milionë euro për sistemin mjekësor mbetet pezull/ D+ evidenton vonesa dhe probleme në prokurim

Tenderi 3.8 milionë euro për sistemin mjekësor mbetet pezull/ D+

Organizata Demokraci Plus (D+) ka publikuar gjetjet e saj për tenderin 3.8 milionë euro të Ministrisë së Shëndetësisë për furnizimin, implementimin dhe mirëmbajtjen e sistemit PACS, duke evidentuar zvarritje të gjata dhe probleme në procesin e prokurimit.

Sipas raportit “Kostoja e procedurave të papërfunduara: rivlerësime të përsëritura dhe mungesa e kontratave”, procedura e nisur në nëntor të vitit 2023 synonte krijimin e një sistemi digjital për menaxhimin e imazheve mjekësore dhe lidhjen e spitaleve rajonale me QKUK-në.

D+ ka bërë të ditur se procesi është vonuar për shkak të ankesave të operatorëve ekonomikë, rivlerësimeve të përsëritura dhe vendimeve të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OShP).

Raporti thekson se edhe pse një ofertë prej rreth 3.3 milionë eurosh ishte rekomanduar për kontratë, vendimi u kontestua, ndërsa gjatë shqyrtimit u gjetën probleme me përmbushjen e kërkesave teknike dhe dokumentacionin e nevojshëm.

Sipas D+, pas më shumë se dy vitesh nga hapja e procedurës, tenderi ende nuk ka përfunduar, duke vonuar një investim që do të mundësonte menaxhim më efikas të të dhënave diagnostikuese dhe qasje më të shpejtë të mjekëve në rezultatet e pacientëve.

Organizata ka rekomanduar përmirësimin e mënyrës së vlerësimit të ofertave, shmangien e konflikteve të interesit, zbatimin më efikas të vendimeve të OShP-së dhe përfundimin në kohë të procedurave të prokurimit publik.

EMISIONET