Stuhi të fuqishme në horizont/ Kosova përfshihet në nivelin më të lartë të rrezikut nga ESTOFEX

Stuhi të fuqishme në horizont/ Kosova përfshihet në nivelin

Kosova është vendosur nën nivelin e tretë të alarmit nga Qendra Evropiane për Parashikimin e Stuhive (ESTOFEX), e cila paralajmëron mundësi për zhvillim të motit ekstrem gjatë së martës dhe orëve të para të së mërkurës.

Sipas parashikimit të publikuar nga ESTOFEX, territori i Kosovës ndodhet në zonën me rrezikun më të lartë për shkak të mundësisë së stuhive të fuqishme, breshërit me përmasa të mëdha dhe erërave të forta me potencial dëmtues.

Përveç Kosovës, në zonën e rrezikut janë përfshirë edhe pjesë të Italisë, Kroacisë jugore, Bosnjës dhe Hercegovinës si dhe Malit të Zi.

Meteorologët paralajmërojnë se kushtet atmosferike janë të favorshme për formimin e stuhive intensive, të cilat mund të sjellin reshje të dendura, breshër të madh dhe në raste të izoluara edhe tornado.

Sipas ekspertëve, disa stuhi të krijuara mbi Detin Adriatik mund të lëvizin drejt Ballkanit dhe të ruajnë fuqinë e tyre gjatë përfshirjes së territorit të Kosovës.

Megjithatë, niveli i tretë i alarmit nuk nënkupton se i gjithë territori do të preket nga fenomenet ekstreme, por tregon se ekzistojnë kushte të larta për zhvillimin e stuhive të rrezikshme.

Qytetarëve u bëhet thirrje të ndjekin njoftimet zyrtare të motit, të shmangin daljet gjatë stuhive dhe të tregojnë kujdes ndaj erërave të forta dhe breshërit. 

EMISIONET