Shkupi përshpejton projektet infrastrukturore/ “Momin Potok” pritet të përfundojë deri në fund të vitit

Shkupi përshpejton projektet infrastrukturore/ “Momin Potok”

Punimet në projektet kryesore infrastrukturore në Shkup po intensifikohen, ndërsa autoritetet e qytetit kanë paralajmëruar përfundimin e disa investimeve të rëndësishme deri në fund të vitit.

Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, gjatë inspektimit të punimeve në nyjën rrugore “Momin Potok”, bëri të ditur se i gjithë segmenti pritet të jetë funksional deri në Vitin e Ri.

Sipas tij, ky projekt kapital përfshin ndërtimin e pesë urave të reja, rreth 2 kilometra mure mbajtëse, si dhe shtigje të reja për këmbësorë dhe biçikleta, me qëllim lehtësimin e qarkullimit në këtë pjesë të kryeqytetit.

“Nyja rrugore përfshin shtigje për biçikleta dhe këmbësorë, janë ndërtuar rreth 2 kilometra mure mbajtëse dhe po punohet në gjithsej pesë ura. Ura që ndodhet pranë nesh do të betonizohet të martën dhe më pas do të vihet në funksion për lidhjen e plotë me rrethrrotullimin që ndodhet 500 metra larg”, deklaroi Gjorgjievski.

Ai shtoi se po punohet edhe në pjesën e Sarajit, ku ura e vjetër po shembet dhe po zgjerohet për t’iu përshtatur nevojave të trafikut.

Sa i përket Bulevardit “Boris Trajkovski” në Draçevë, kryetari i Shkupit tha se çështjet pronësore janë zgjidhur dhe se punimet në trasenë po vazhdojnë, me afat përfundimi gjithashtu deri në fund të vitit.

Gjorgjievski bëri të ditur se gjatë muajit gusht pritet të nisë edhe projekti për lidhjen e Gazi Babës me Aerodromin përmes Bulevardit “Gjeneral Mihajlo Apostolski”.

Ndërkohë, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, njoftoi se Qyteti i Shkupit do të furnizohet me pajisje të reja për mirëmbajtjen e qytetit, përfshirë kamionë, cisterna dhe makina për pastrimin e rrugëve.

Mickoski bëri të ditur gjithashtu se ka përfunduar tenderi për autobusët elektrikë dhe se aktualisht është në zhvillim procesi i ankesave.

EMISIONET