Zjarri përfshin bregdetin e Pulias/ Mbi 400 turistë evakuohen me anije në Itali

Një zjarr i madh ka përfshirë zonën bregdetare të Peschicit, në rajonin e Pulias, në jug të Italisë, duke detyruar autoritetet të evakuojnë qindra turistë dhe pushues.
Rojet Bregdetare italiane njoftuan se deri tani më shumë se 400 persona janë larguar përmes detit, pasi kjo ishte rruga e vetme e sigurt për evakuim.
“Deri tani, më shumë se 400 turistë dhe pushues janë evakuuar përmes detit, e cila ishte rruga e vetme e mundshme për largim”, njoftoi Rojet Bregdetare.
Një zëdhënës i këtij institucioni bëri të ditur se operacionet vijojnë dhe pritet të largohen edhe rreth 300 persona të tjerë.
Në aksionin e shpëtimit janë angazhuar gjashtë anije të Rojes Bregdetare, tri anije të Rojes Doganore, si dhe dhjetëra mjete private lundruese që po ndihmojnë në transportin e njerëzve.
Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë forcat zjarrfikëse dhe avionët “Canadair” duke luftuar me flakët, ndërsa një re e madhe tymi është parë nga distanca të mëdha.
Kryetari i komunës së Peschicit, Luigi d’Arenzo, deklaroi se situata aktualisht është nën kontroll dhe se pritet ndërhyrja e një avioni tjetër “Canadair” nga Roma për të ndihmuar në shuarjen e zjarrit.
Autoritetet italiane vijojnë monitorimin e situatës, ndërsa po hetohen shkaqet që çuan në përhapjen e flakëve në zonën turistike.



