Në Kongresin Amerikan kërkohet që Asambleja Parlamentare e OSBE-së të mos mbahet në Beograd

Avokuesi i çështjes së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Faton Bislimi, ka bërë të ditur se në Kongresin Amerikan është paraqitur Rezoluta Kongresionale 1451, e cila kundërshton mbajtjen e sesionit vjetor të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së në Beograd në vitin 2027.
Sipas Bislimit, rezoluta kërkon që ky sesion të zhvendoset në Charleston të Karolinës së Jugut dhe është iniciuar nga kongresmeni amerikan Joe Wilson, një nga mbështetësit e njohur të Kosovës.
Ai ka bërë të ditur se dokumenti është bashkënënshkruar nga rreth 40 ligjvënës republikanë dhe demokratë, duke e cilësuar këtë si një zhvillim të rëndësishëm në mbështetje të interesave të Kosovës në Uashington.
“Puna konsistente, angazhimi serioz dhe vlerat e lirisë e demokracisë gjithëherë kanë qenë dhe mbeten busullë e orientimit tim strategjik për vendin e kombin tonë, dhe kur ato sjellin rezultate, ndjenja e krenarisë është e shumëfishtë”, ka shkruar Bislimi.
Ai ka theksuar se për më shumë se dy dekada janë paraqitur argumente në Uashington se stabiliteti në Ballkan nuk mund të ndërtohet duke, siç u shpreh ai, shpërblyer politika që bien ndesh me interesat strategjike të Perëndimit.
Bislimi ka përsëritur qëndrimin e tij se Serbia vazhdon të ketë lidhje të forta me Rusinë, Kinën dhe Iranin, duke vlerësuar se institucionet euroatlantike duhet të japin mesazhe të qarta për demokracinë, sundimin e ligjit dhe sigurinë rajonale.
Sipas tij, këto argumente janë përfshirë edhe në Rezolutën 1451, e cila synon të kundërshtojë organizimin e sesionit të ardhshëm të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së në Beograd.
Në fund, Bislimi ka falënderuar kongresmenin Joe Wilson dhe ligjvënësit amerikanë që kanë mbështetur rezolutën, duke theksuar se marrëdhëniet me SHBA-në mbeten, sipas tij, një faktor kyç për paqen dhe perspektivën euroatlantike të Kosovës dhe rajonit.



