Ministria e Mbrojtjës dhe UP bashkojnë forcat për zhvillimin e industrisë së mbrojtjes

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka njoftuar nënshkrimin e Memorandumit të Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes dhe Universitetit të Prishtinës, një marrëveshje që synon forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe zhvillimin e kapaciteteve profesionale në fushën e mbrojtjes.
Sipas Maqedoncit, memorandumi krijon mundësi të reja për realizimin e studimeve, analizave, projekteve kërkimore, trajnimeve profesionale dhe angazhimin e ekspertizës akademike në proceset e zhvillimit të politikave dhe kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës.
Ai theksoi se ky bashkëpunim merr rëndësi të veçantë në kohën kur Kosova ka hedhur themelet e industrisë së mbrojtjes, duke e konsideruar Universitetin e Prishtinës partner kyç në krijimin e kapaciteteve vendore për prodhimin e armatimit, municioneve dhe sistemeve të tjera të mbrojtjes.
Sipas ministrit, studentët, inxhinierët dhe ekspertët e ardhshëm do të kenë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e teknologjisë, inovacionit dhe kapaciteteve prodhuese që kontribuojnë në forcimin e mbrojtjes dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.
Maqedonci e cilësoi këtë partneritet si një hap të rëndësishëm drejt lidhjes më të ngushtë ndërmjet arsimit të lartë dhe sektorit të mbrojtjes, në funksion të zhvillimit të kapaciteteve strategjike të vendit.
