“Nuk është më vetëm protestë”/ Softa: Qytetarët po kërkojnë të gjejnë veten në një alternativë politike
I ftuar në emisionin “Drejt” në Ora News, inxhinieri Erion Softa komentoi zhvillimet e fundit që kanë tërhequr vëmendjen e opinionit publik, duke argumentuar se një revoltë e nisur nga pakënaqësitë e qytetarëve po shfaq shenja të qarta të organizimit politik.
Sipas Softës, ajo që fillimisht u perceptua si një reagim ndaj një problemi konkret dhe një konflikti të izoluar, po evoluon në një strukturë ku qytetarët po kërkojnë të gjejnë përfaqësim dhe zgjidhje për shqetësimet e tyre.
"Gjithmonë jemi në vëmendje për të parë nëse është kjo zgjidhja e duhur, pra do t'i japë kjo zgjidhje problemeve tona."-tha ai.
Softa vlerësoi se interesi i qytetarëve tashmë nuk lidhet vetëm me protestën apo pakënaqësinë e momentit, por me aftësinë e kësaj lëvizjeje për t’u kthyer në një alternativë të organizuar.
Ai tha se po bëhet gjithnjë e më e dukshme nevoja për një linjë të qartë politike, ku individë të ndryshëm të mund të gjejnë hapësirë dhe përfaqësim.
"Ndonëse nisi si një moment revolte për një detaj, për një konflikt midis një qytetari të zvarritur, sot presim të shohim gjithmonë e më tepër një linjë të qartë politike që të gjithë të gjejnë veten brenda kësaj strukture dhe më pas të përkthehet në vullnet politik."-shtoi Softa.
Sipas tij, zhvillimet e fundit tregojnë se lëvizja po kalon nga faza e reagimit qytetar drejt një organizimi më të strukturuar, me synimin për t’u shndërruar në një faktor politik që kërkon të japë përgjigje për problemet e ngritura nga qytetarët.


