Mickoski për raportin e KE-së: Është ndër më të mirët deri tani, por gjyqësori nuk do të marrë më shumë fonde

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka vlerësuar se raporti i fundit i Komisionit Evropian për sundimin e ligjit është një nga raportet më pozitive për vendin deri më tani.
Deklarata e tij vjen pasi raporti i KE-së përfshiu edhe kritika lidhur me pavarësinë e gjyqësorit dhe nevojën për përmirësime në këtë fushë.
Mickoski tha se kritikat duhet të pranohen, por theksoi se nuk do të ndalojë së komentari gjendjen në sistemin e drejtësisë, pavarësisht raporteve që mund të publikohen.
“Le të ketë kritika, por unë nuk do të ndalem së komentuari për gjendjen. Sado raporte të duan le të publikohen”, u shpreh ai.
Duke folur për rekomandimin që gjyqësorit t’i sigurohet një buxhet më i madh, kryeministri maqedonas tha se fondet shtesë nuk do të jepen, duke argumentuar se institucionet e drejtësisë duhet të tregojnë rezultate.
“Mua më takon që unë hapur t’i thërras gjyqtarët dhe prokurorët të sjellin drejtësi dhe do të vazhdoj në atë drejtim. Para më shumë nuk do të marrin, sepse nuk e kanë merituar”, deklaroi Mickoski.
Sipas tij, përparimi në drejtësi do të jetë kushti kryesor për ndryshimin e qëndrimit të qeverisë ndaj financimit të institucioneve gjyqësore.


