Ç'po ndodh me fabrikën e qumështit në Kosovë? "Vita" i nënshtrohet kontrolleve të AUV

Fabrika e qumështit Vita në Kosovë, sipas raportimeve, po i nënshtrohet një kontrolli në kompaninë në Istog me urdhër të Ministrisë në detyrë të Bujqësisë.
Sipas raportimeve, mbyllja e fabrikës do të jetë në fuqi deri në një vendimmarrje të dytë nga Ministrisë.
Ndërkohë lidhur me këtë ka reaguar dhe vetë ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja. Ai shkruan se siguria ushqimore kërkon zbatim të barabartë të ligjit për të gjithë.
Muja shton më tej se kontrollet që ka zhvilluar Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) në sektorin e qumështit dhe produkteve të qumështit në fabrikën “Vita” bëhen për të verifikuar respektimin e protokolleve të prodhimit, shkallën e zbatimit të normave ligjore, licencave dhe autorizimeve, si dhe përputhshmërinë e operatorëve ekonomik me kërkesat ligjore.
Reagimi i plotë:
Siguria ushqimore kërkon zbatim të barabartë të ligjit për të gjithë. Qytetarët tanë duhet të dinë se çka hanë e çka pinë për të cilat edhe paguajnë.
Kontrollet që po zhvillon Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) në sektorin e qumështit dhe produkteve të qumështit janë pjesë e mandatit të saj të rregullt ligjor për të mbikëqyrur zbatimin e Ligjit për Ushqimin dhe standardeve të sigurisë ushqimore. Njëjtë edhe kjo sot në kompaninë ‘Vita’
Këto veprime kryhen për të verifikuar respektimin e protokolleve të prodhimit, shkallën e zbatimit të normave ligjore, licencave dhe autorizimeve, si dhe përputhshmërinë e operatorëve ekonomik me kërkesat ligjore.
Qëllimi i vetëm i këtyre kontrolleve është mbrojtja e interesit publik. Ato shërbejnë për të garantuar sigurinë e ushqimit, për të mbrojtur konsumatorët dhe për të siguruar kushte të drejta për prodhuesit dhe përpunuesit që respektojnë ligjin.
AUV ushtron të njëjtin mandat në të gjitha segmentet e industrisë ushqimore. Kontrollet zyrtare zhvillohen ndaj operatorëve ekonomik pa dallim sektori, madhësie apo pozite në treg, sepse zbatimi i ligjit duhet të jetë i njëjtë për të gjithë.
Një sistem i besueshëm i kontrollit ushqimor ndërton besim te konsumatorët, mbron prodhimin vendor dhe forcon konkurrencën e ndershme në treg. Askush nuk mund të jetë mbi ligjin. /CNA


