Blerta Deliu denoncon profilin “Lule Gjeli”: Të hënën paraqitem në Prokurorinë Speciale, koha që drejtësia të veprojë

Deputetja e zgjedhur e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu, ka bërë të ditur se të hënën do të paraqitet në Prokurorinë Speciale për të denoncuar profilin në Facebook “Lule Gjeli”, duke kërkuar zbardhjen e plotë të rastit.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Deliu tha se vendimi vjen pasi është informuar se Prokuroria Speciale ka nisur hetimet dhe se tashmë është caktuar prokurorja që po merret me çështjen.
Ajo u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që pretendojnë se janë shantazhuar, kërcënuar apo fyer nga aktiviteti i këtij profili të mos heshtin, por të bashkëpunojnë me organet e drejtësisë duke paraqitur çdo provë që disponojnë.
Deliu publikoi edhe numrin e kontaktit të Prokurorisë Speciale, duke inkurajuar qytetarët të raportojnë rastet dhe të lidhen me prokuroren përgjegjëse për hetimin.
“Askush nuk duhet të jetojë nën frikën e kërcënimeve, shantazhit dhe gjuhës së urrejtjes. Besoj se është koha që drejtësia të veprojë dhe secili të mbajë përgjegjësi për veprimet e veta”, theksoi ajo.


