Seanca konstituive më 6 gusht / Cakolli: Kosova rrezikon të mbetet pa Kuvend dhe pa ushtrues detyre të Presidentit

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka caktuar 6 gushtin në orën 10:00 si datën e mbajtjes së seancës konstituive të Kuvendit, duke argumentuar se ka shfrytëzuar afatin kushtetues për t'u dhënë partive politike kohë për të arritur një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit.
Në një konferencë për media, Haxhiu tha se ende nuk ka dakordim politik për këtë çështje, por theksoi se dialogu ndërmjet subjekteve parlamentare duhet të vazhdojë, duke e cilësuar atë si përgjegjësi demokratike dhe institucionale.
Ajo deklaroi gjithashtu se Lvizja Vetëvendosje i ka votat për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë, ndërsa mohoi se partia është e interesuar të shkojë në zgjedhje të reja. Sa i përket kandidatit për kryetar të Kuvendit, Haxhiu tha se vendimi i takon ekskluzivisht LVV-së dhe do të bëhet i ditur në seancën konstituive.
Ndërkohë, njohësi i çështjeve kushtetuese dhe përfaqësuesi i Institutit Demokratik të Kosovës, Eugen Cakolli, e ka cilësuar caktimin e seancës si një veprim të vonuar dhe institucionalisht të papërgjegjshëm.
Sipas tij, data 6 gusht aktivizon afatin 60-ditor për zgjedhjen e Presidentit, ndërsa më 4 tetor përfundon mandati gjashtëmujor i ushtrimit të detyrës së Presidentit. Nëse zgjedhja e kreut të shtetit dështon në afatin maksimal, Cakolli paralajmëron se vendi mund të përballet me një vakum institucional.
"Kosova mund të mbetet njëkohësisht pa Kuvend dhe pa ushtrues detyre të Presidentit", ka deklaruar ai, duke shtuar se kjo do ta vështirësonte shpërndarjen e Kuvendit, caktimin e zgjedhjeve të reja dhe procedurat për formimin e institucioneve të ardhshme.
Cakolli kritikoi gjithashtu mungesën e takimeve të reja ndërmjet partive politike, duke theksuar se koha e lënë për negociata po kalon pa progres konkret drejt një marrëveshjeje.


