Aksion në Gjilan dhe Viti/ Kontrollohen 35 auto-parkingje, zbulohen shkelje dhe...

Aksion në Gjilan dhe Viti/ Kontrollohen 35 auto-parkingje, zbulohen shkelje

Një aksion i gjerë i institucioneve ligjzbatuese është zhvilluar në komunat e Gjilanit dhe Vitisë, ku janë inspektuar 35 auto-parkingje për të verifikuar zbatimin e legjislacionit dhe për të identifikuar parregullsi, përfshirë dyshimet për shmangie nga detyrimet tatimore.

Operacioni u realizua nga Inspektorati Qendror i Punës (IQP), në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), Inspektoratin Qendror të Ministrisë së Tregtisë (IQMT) dhe në koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjilan.

Sipas njoftimit zyrtar, gjatë kontrolleve janë konstatuar shkelje të ndryshme, për të cilat institucionet kompetente kanë ndërmarrë veprimet përkatëse në përputhje me kompetencat e tyre ligjore.

Edhe Policia e Kosovës konfirmoi zhvillimin e aksionit, duke bërë të ditur se inspektimet u kryen më 17 korrik në 35 auto-parkingje në Gjilan dhe Viti.

Autoritetet nuk kanë dhënë detaje mbi natyrën e plotë të shkeljeve apo masat konkrete të marra, por theksuan se secili institucion po trajton rastet në përputhje me mandatin e tij.

Aksione të tilla synojnë forcimin e zbatimit të ligjit, luftimin e evazionit fiskal dhe garantimin e funksionimit të ligjshëm të bizneseve në vend.

EMISIONET