PËRPLASEN NË PE/ PS mohon selinë blu: Deputetët e PD-së votuan kundër rekomandimeve për Shqipërinë në BE

PËRPLASEN NË PE/ PS mohon selinë blu: Deputetët e PD-së

Grupi parlamentar i Partisë Socialiste reagoi sot lidhur me zhvillimet në mbledhjen e Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri–Bashkimi Evropian, duke deklaruar se deputetët socialistë dhe eurodeputetët mbështetën rekomandimet në favor të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Në një deklaratë, grupi parlamentar i PS thekson se “sot në Strasburg në mbledhjen e Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri–Bashkimi Evropian, deputetët e Partisë Socialiste dhe të gjithë eurodeputetët votojnë pro rekomandimeve në mbështetje të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, deputetët e PD zbatuan urdhrin e Saliut, siç e kishin bërë me dije, duke votuar kundër Shqipërisë në BE”.

Partia Socialiste nuk paraqiti asnjë amendament në tekstin e propozuar nga Sekretariati i KPSA-së, pikërisht sepse atij teksti iu bashkëngjitën dy dokumente themelore: rezoluta e Parlamentit Europian për Shqipërinë dhe rezoluta e miratuar me konsensus nga Kuvendi i Shqipërisë për procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian, thuhet në deklaratë.

Në këto kushte, shton grupi parlamentar i PS, përsëritja e përmbajtjes së këtyre dy rezolutave, duke hequr njëkohësisht pjesët që evidentojnë qartësisht ecurinë pozitive të Shqipërisë në këtë rrugëtim, nuk kishte as kuptim politik, as logjikë institucionale dhe as vlerë shtesë për tekstin e përbashkët.

Në deklaratë thuhet se, “është po ashtu e rëndësishme të theksohet se një numër amendamentesh të propozuara nga Partia Demokratike u mbështetën dhe u votuan edhe nga përfaqësuesit e Partisë Socialiste, pikërisht në frymën konsensuale që duhet të karakterizojë një proces kaq të rëndësishëm sa anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian”.

Nga ana tjetër, vijon deklarata e grupit parlamentar të PS-së, se, “deputetët e Partisë Socialiste votuan një pjese e amendamenteve të Partisë Demokratike, me përjashtim të formulimeve që nuk pasqyronin frymën e një dokumenti të përbashkët parlamentar. Nuk mund të pranohej tentativa për të deformuar balancën e dokumentit, përmes përjashtimit të plotë të çdo reference që pasqyron progresin e njohur dhe të certifikuar nga raporti i Komisionit Europian për Shqipërinë dhe njoftimin për përmbylljen e kapitujve të negociatave”.

“Procesit të anëtarësimit nuk i shërbehet duke mohuar arritjet e vendit, por duke ndërtuar mbi to, me seriozitet, përgjegjësi dhe vullnet bashkëpunimi”, thuhet në deklaratë.

Partia Socialiste bëm të ditur se, “mbetet e angazhuar për të mbështetur çdo tekst, çdo qëndrim dhe çdo mekanizëm bashkëpunimi që i shërben realisht avancimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, mbi bazën e fakteve, standardeve dhe rezultateve konkrete të këtij procesi”.

EMISIONET