Testamenti sekret i Valentino-s/ Zbulohet kush trashëgon pasurinë marramendëse të ikonës së modës

Testamenti sekret i Valentino-s/ Zbulohet kush trashëgon pasurinë

Edhe pas largimit nga jeta, Valentino Garavani vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes. Testamenti i stilistit legjendar ka shkaktuar bujë në botën e modës, pasi zbulon se pasuria e tij marramendëse nuk do të ndahet mes familjarëve, por do të administrohet nga një fondacion i krijuar për të ruajtur trashëgiminë e tij artistike dhe financiare.

Pas vdekjes së Valentino Garavani më 19 janar 2026, në moshën 93-vjeçare, detajet e testamentit të tij kanë tronditur qarqet e modës dhe financës në Europë.

Sipas mediave italiane, krijuesi i njohur i modës vendosi që gjithë pasuria e tij t'i kalojë një trashëgimtari të vetëm universal: fondacionit "Valentino Garavani, Giancarlo Giammetti Foundation", me seli në Vaduz, Lihtenshtajn.

Bëhet fjalë për një pasuri kolosale që përfshin vila luksoze, jahte, prona prestigjioze në vende të ndryshme të botës, koleksione arti, llogari bankare dhe asete me vlerë marramendëse.

Testamenti ishte hartuar që në mars të vitit 2023 pranë një noteri në Zvicër, ndërsa procedurat e trashëgimisë u finalizuan pas ndarjes së tij nga jeta, duke treguar se gjithçka ishte planifikuar me kujdes deri në detajin e fundit.

Megjithëse fondacioni është përfituesi kryesor, Valentino nuk harroi njerëzit më të afërt. Në testament janë parashikuar përfitime edhe për partnerin e tij Vernon Bruce Hoeksema, bashkëpunëtorin historik Giancarlo Giammetti, nipin Piero Villani, familjen e Carlos Souza-s, si edhe për organizata me karakter filantropik.

Një nga pasuritë më të përfolura është Château de Wideville, kështjella e shekullit XVI pranë Parisit, e cila pritet të shitet për të mbuluar detyrimet dhe dhurimet e parashikuara në testament.

Mes aseteve të tjera spikasin jahti luksoz TM BlueOne, Villa Letizia në Romë, një penthouse në New York, rezidenca në Holland Park të Londrës dhe Chalet Gifferhorn në Gstaad, ku stilisti kaloi vitet e fundit të jetës.

Me këtë vendim të pazakontë, Valentino zgjodhi të mos e copëzonte perandorinë që ndërtoi gjatë dekadave, por ta ruante të bashkuar përmes një fondacioni, duke siguruar që emri, vepra dhe trashëgimia e tij të mbeten të paprekura edhe për brezat që do të vijnë.

EMISIONET