"Protestat nisin për shqetësime reale"/ Rama me të rinjtë në Jalë: Dezinformimi i kthen qytetarët në "vegla"
Kryeministri Edi Rama zhvilloi një bashkëbisedim me të rinjtë në kampin RinCamp 2026, ku u ndal te protestat e fundit, ndikimi i dezinformimit dhe mënyra se si, sipas tij, qytetarët mund të përfshihen pa vetëdije në kauza që shkojnë përtej shqetësimeve të tyre reale.
Rama foli për nevojën që të bëhet dallimi mes kërkesave legjitime të qytetarëve dhe rasteve kur protestat, sipas tij, ndikohen nga informacione të pavërteta.
Ai tha se momenti vendimtar është kur institucioneve u jepet mundësia të adresojnë një problem.
"Normalisht ndarja bëhet tek pika ku ty të hapet një rrugë për ta adresuar qëllimin, ose nuk të hapet. Nëse nuk të hapet rruga, kjo është një gjë, por nëse rruga të hapet, kjo është një gjë tjetër."-tha Rama.
Kryeministri shtoi se jo çdo çështje kërkon të njëjtën përgjigje, pasi disa problematika kanë nevojë për ndërhyrje konkrete, ndërsa të tjera, sipas tij, zgjidhen përmes informimit të saktë të publikut.
Duke iu referuar protestave për bregdetin e jugut, Rama solli në vëmendje rastin e Zvërnecit. Sipas tij, kjo temë u zhduk nga protesta pasi faktet në terren nuk përputheshin me pretendimet që ishin përhapur në publik.
"Protesta nisi me Zvërnecin dhe Zvërneci sot është harruar. Pse është harruar? Sepse shumë shpejt u kuptua që realiteti i fakteve ishte i ndryshëm nga çfarë njerëzit kishin perceptuar përmes kanaleve të dezinformimit. Realiteti i fakteve nuk është që qeveria shiti atdheun."- u shpreh Kryeministri.
Rama përsëriti se është e rëndësishme të dallohen shqetësimet reale nga informacionet e pavërteta, duke argumentuar se transparenca dhe verifikimi i fakteve janë thelbësore për të shmangur manipulimin e opinionit publik.


