Muka: Mbyllja e kapitujve të BE-së, arritje e shqiptarëve, jo e qeverisë
Në një lidhje të drejtpërdrejtë për emisionin "Ora e Betit" në Ora News, Taulant Muka, e ka cilësuar hapjen e kapitujve me Bashkimin Europian si një "shuplakë" për qeverinë shqiptare, duke theksuar se ky hap është ekskluzivisht meritë e frymës së lartë pro-europiane të qytetarëve dhe jo e performancës së ekzekutivit, të cilin e akuzoi për dështim dhe qasje "anti-arsim" në menaxhimin e fondeve akademike.
" Është një shuplakë ndaj qeverisë pasi ishte një arritje e vonuar. Kapituj të cilët vendet e tjera i kanë mbyllur brenda ditës, Mali i Zi, kujtoj Serbia i ka mbyllur në vitet 2016-2017, pra ishin pak kushte shumë të vështira pasi i lihen pikërisht vendeve aspirante t'i menaxhojnë si të duan këto. Pra, arsyeja besoj e vetme që edhe u artikulua nga zonja Kos ishte fakti që ne shqiptarët e duam Europën më shumë se çdo vend tjetër i Ballkanit.
Sipas statistikave që ajo prezantoi dje, mbi 90% e qytetarëve shqiptarë duan të futen në BE, e konsiderojnë veten pro-europianë. Pra ka një frymë pro-europiane që nuk e ka asnjë vend tjetër i Ballkanit. Dhe kjo është arritje e ne qytetarëve dhe ky është gëzimi nga konferenca e djeshme.
Ndërkohë që nuk përmendi, ju e dëgjuat vetë, nuk përmendi asnjë prej arritjeve të qeverisë në fushat përkatëse ku mbyllën kapitujt. Nuk tha asnjë fjalë se çfarë kishte bërë qeveria në kontekstin e rritjes së fondeve, integritetit akademik, kontrollit të universiteteve e të tjera e të tjera, autonomisë financiare.
Unë do ta them thjesht popullorçe që të na kuptojnë qytetarët. Bashkimi Europian na thotë: Doni të rrini analfabetë funksionalë si shoqëri me përqindje të lartë? Bujrum rrini. Ne, në qoftë se doni të futeni në BE, i keni dhe mundësitë, mund të shkoni të studioni në Itali, Gjermani, Francë.
Pra ne po ju barazojmë, ne po ju japim mundësitë. S'dini t'i shfrytëzoni këto mundësi? Atëherë rrini, mos i zhvilloni, i merr paratë Serbia, sikurse i ka marrë gati 350 milionë euro vetëm në kërkim shkencor, ndërkohë që Shqipëria 20 milionë euro. Pra kuptoheni qasjen pozitive që ka Bashkimi Europian.
Problemi është që ne kemi një qeveri që është anti-arsim. Pra nuk ka faj këtu Bashkimi Europian që në krye të universiteteve, ose në universitete qëndrojnë akademikë të cilët nuk kanë profilin akademik dhe nuk i njeh bota, nuk konkurrojnë dot për të marrë grande kërkimore dhe shkojnë pikërisht në Serbi, sepse atje shteti investon në kapacitete. Pra pavarësisht, edhe këtu është e çuditshme sepse Bashkimi Europian është shumë kritik ndaj Serbisë, me shumë të drejtë", u shpreh Muka.
Ndiqni emisionin e plotë:

