“Mos ndaloni së kërkuari dhe së kontribuari!”, mesazhi i Kryepeshkopit Joan për studentët e diplomuar

Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij Joani, përcolli një mesazh urimi dhe reflektimi për studentët e diplomuar.
Në fjalën e tij, Kryepeshkopi u ndal te rëndësia e dijes, përgjegjësisë shoqërore dhe nevojës që të rinjtë ta shohin profesionin e tyre si një mundësi për të kontribuar në shoqëri.
Ai vlerësoi punën e pedagogëve dhe familjeve, ndërsa u kërkoi të diplomuarve të vijojnë kërkimin, zhvillimin dhe të udhëhiqen nga vlerat e besimit, dhurimit dhe dashurisë për të tjerët.
Më poshtë fjala e tij:
“Është një privilegj të ndodhem përsëri sot mes jush dhe të shoh fytyrat tuaja të gëzuara. Sepse u munduat, punuat, u përpoqët – dhe tani, ja, në duart tuaja mbani frytin, që u poq me mundin tuaj, me sakrificat e familjeve tuaja dhe me përkushtimin e pedagogëve tuaj.
Para çdo fjale tjetër, dëshiroj të falënderoj nga zemra pedagogët dhe të gjithë personelin e Universitetit tonë për përpjekjet e tyre, për zellin dhe përkushtimin me të cilat i shërbejnë veprës së arsimit. Dhe njëkohësisht t’u lutem që t’i shtojnë edhe më tepër përpjekjet e tyre, në mënyrë që të shtohen studentët tanë. Sepse në Universitetin tonë nuk përcjellim vetëm dije të thatë; përcjellim dashurinë për jetën, dashurinë për dhurimin, dashurinë për krijimtarinë dhe origjinalitetin. Dhe kjo është një dhuratë që meriton ta shijojnë sa më shumë të rinj.
Diploma që mbani sot në duar nuk është thjesht një letër, as një titull nderi, ajo është një dëshmi me përmbajtje të thellë shoqërore: që tani e tutje, shoqëria ju njeh si specialistët, secilin në shkencën e vet dhe në drejtimin që ndoqi. Dhe bashkë me këtë njohje ju beson edhe një përgjegjësi: të jeni ju ata që, secili në fushën e vet, do të informojnë, do të orientojnë, do të ndihmojnë edhe të tjerë.
Ashtu si në një organizëm të gjallë çdo qelizë kryen funksionin e saj dhe nga puna e saj e heshtur jeton, merr frymë dhe përparon i gjithë trupi, ashtu edhe ju jeni të thirrur të bëheni qelizat e shëndetshme dhe krijuese të trupit shoqëror, secili nga vendi i vet.
Por një vend nuk fitohet njëherë e përgjithmonë; ai fitohet çdo ditë.
Prandaj, ju drejtoj një nxitje atërore: mos u ndalni kurrë së zhvilluari, mos u ndalni kurrë së thelluari. Mos u mjaftoni me njohjen e mirë të shkencës suaj ashtu siç ka arritur ajo deri në këtë çast; guxoni – pse jo?- të ofroni edhe ju, nga përvoja juaj, nga mundi dhe kërkimi juaj, diçka më tepër në fushën tuaj. Mos e quani të vogël këtë kontribut. Sepse guri i vogël që do të shtojë secili prej jush e ngre njerëzimin një shkallë më lart, drejt diçkaje më të mirë.
Në fund të fundit, po të vështrojmë udhëtimin e njeriut nëpër histori, do të shohim se ai është përherë një udhëtim kërkimi dhe zbulimi. Kërkimi, para së gjithash, i së vërtetës; dhe më pas, i përmirësimit të jetës së tij: i përballimit të rreziqeve, të sëmundjeve, i gjithçkaje që kërcënon ekzistencën e tij në këtë botë.
Në këtë perspektivë, çdo përparim i vërtetë i shkencës është përparim i bekuar, dhuratë dhe njëkohësisht fryt i mendjes që Perëndia i fali njeriut. Por të gjitha këto ndriçohen nga një e vërtetë themelore, të cilën ju lutem ta ruani thellë brenda jush: asgjë nga ato që zbulon njeriu, asnjë arritje e shkencës, nuk mund dhe nuk duhet të ndihet se zëvendëson përkujdesjen e Perëndisë. Ai është gjithmonë i pranishëm. Gjithmonë pret, duke respektuar lirinë tonë, që t’i kërkojmë ndihmë. Por edhe kur njeriu nuk e kërkon atë, Ai përsëri e përqafon me dashuri, e udhëheq, e ushqen, e mban në jetë.
Mbani mend, pra, gjithmonë: të jeni njerëz të besimit, të entuziazmit, të dhurimit dhe të gëzimit. Shoqëria jonë sot, këtu në vendin tonë, ka nevojë të madhe për njerëz të tillë. Jetojmë në një botë që bëhet gjithnjë e më egocentrike, ku secili mbyllet në vetvete dhe në interesin e vet. Sot, më shumë se kurrë, shfaqet e domosdoshme nevoja që njeriu të dalë nga vetja dhe të kthehet drejt të afërmit: të ofrojë dhuntitë dhe dhuratat me të cilat e pajisi Perëndia dhe me dijet që fitoi me mund.
Dhe këtu fshihet një sekret që uroj ta zbuloni të gjithë: gëzimi i fshehtë dhe mistik i kësaj jete nuk gjendet te marrja, por te dhënia. E shpalli Apostulli Pavël, duke ruajtur një fjalë të vetë Zotit: “Është lumturi më e madhe të japësh se të marrësh” (Vep. 20:35). Gëzimi të shohësh fytyrën e atij që ka nevojë, të atij që vuan, të ndriçohet e të lehtësohet nga dhurimi yt, nga dashuria jote – ky gëzim nuk blihet dhe nuk fabrikohet; ai u falet vetëm zemrave që duan t’i ngjajnë Perëndisë.
Prandaj, mos e shihni kurrë profesionin tuaj, specialitetin tuaj, orientimin tuaj profesional, vetëm si mjet pasurimi ose mbijetese. Shiheni atë si mjet dhurimi dhe dashurie. Dhe ju siguroj: do të shihni sa shumë do të përparoni në fushën tuaj, kur ta përqafoni objektin tuaj me këtë perspektivë. Sepse gjithçka që bëhet me dashuri, bëhet edhe me frymëzim, me pasion, me plotësi – dhe kjo, herët a vonë, jep fryte.
Të dashur studentë të diplomuar, me këto mendime ju përgëzojmë me gjithë zemër. I lutemi Perëndisë së gjithmirë të bekojë hapat tuaja, të drejtojë zgjedhjet tuaja dhe të kurorëzojë me sukses mundin tuaj.
Përgëzojmë gjithashtu prindërit tuaj që me sakrifica, privime dhe lutje ju shoqëruan deri këtu. Dita e sotme është dhe festa e tyre. Dëshiroj që ta keni gjithmonë mirënjohjen dhe falenderimin për të gjithë njerëzit që janë përpjekur përpara jush. Dhe në këto çaste dua të falënderoj Kryepiskopin e ndjerë Anastas për vizionin e tij për universitetin dhe përpjekjet e tij pa kursim për ta bërë këtë shkollë, një shkollë ku të mësohet jo vetëm njohuria, por të mësohen dhe vlerat njerëzore.
Përgëzime të përzemërta për të gjithë ju. Perëndia ju bekoftë, ju ndriçoftë dhe ju shoqëroftë në çdo hap të jetës suaj!
Ju uroj karrierë të mbarë, një jetë të qetë dhe me gëzim gjithmonë!”


