Këshilli Kombëtar i PD, Emiri: Rruga përpara kërkon bashkëpunim, bashkë mund të fitojmë të gjithë

Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike është mbledhur ditën e sotme, nën drejtimin për herë të parë të kryetares së re, Julia Emiri. 

Në fjalën e saj hapëse, Emiri ka shprehur falënderime për kryetarin Sali Berisha për besimin e dhënë, si dhe për gjithë anëtarësinë e Këshillit. Duke u ndalur te detyra e re, ajo e ka vlerësuar atë si një përgjegjësi kolektive.

Deklarata e saj:

"Të nderuar anëtarë dhe anëtare të Këshillit Kombëtar, mirë se keni ardhur në këtë mbledhje të Këshillit Kombëtar që për herë të parë po e drejtoj dhe kështu dua ta nis me dy fjalë nga vetja. Së pari, falënderoj pafundësisht kryetarin e Partisë Demokratike, profesor doktor Sali Berishën për propozimin për emrin tim dhe për mundësinë që më dha dhe për vlerësimin, si dhe përgjegjësinë që më dha për kontributin e gjatë që kam dhënë me shumë sinqeritet dhe me shumë dashuri për vendin tim dhe për qytetin tonë.

Dhe së dyti, dua t'ju falënderoj të gjithëve ju një për një, ju kam falënderuar me mesazh, por dua t'ju falënderoj edhe këtu dhe dua t'ju shpreh me shumë sinqeritet mirënjohjen time dhe vetëdijen time për kontributin që keni secili në këtë parti. Jam shumë e vetëdijshme që përsa i përket kontributit partiak këtu ka njerëz që si në moshë dhe si në vite kontributi janë shumë më shumë se unë, dhe dua t'ju them se këtë detyrë e shoh si një përgjegjësi dhe si një angazhim të përbashkët, si një shirit të kapitenit që përkohësisht më është dhënë, dhe duke qenë se ju e dini që unë jam aktore, dua t'ju them se gjëja e parë që ne mësojmë në ditën e parë të shkollës në aktrim është puna, rëndësia e punës në grup, se si partneri është jeta jote. Pra ne jemi të gjithë bashkë në këtë luftë dhe vetëm bashkë mund të fitojmë të gjithë, edhe teke-teke.

Ndërkohë, dua të verifikoj kuorumin e mbledhjes nga sekretaria. Rezulton se kemi kuorumin për të nisur mbledhjen dhe konkretisht prezent në mbledhje janë 299 anëtarë. Fillimisht, miratojmë rendin e ditës së kësaj mbledhjeje, e cila sipas nenit 44 të statutit është njoftuar para pesë ditëve.

Rendi i ditës është si më poshtë: Zgjedhja nga Këshilli Kombëtar i: Sekretarit të Përgjithshëm, Nënkryetarëve të Partisë Demokratike, Sekretariatit të Partisë Demokratike, Pesë anëtarëve të Komisionit të Apelimit të Partisë Demokratike. Kush është dakord me këtë rend dite? Pro? Kundër? Miratohet. Duke qenë se jemi në proces zgjedhor, ju njoftoj se komisioni i votimit dhe zgjedhjeve është i njëjti me atë të miratuar në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të datës 1 korrik 2026, duke qenë se kjo është një mbledhje vijuese e saj. Tani kam nderin t'ia kaloj fjalën kryetarit të partisë për të përshëndetur këtë mbledhje të Këshillit dhe për të paraqitur propozimet për votim në Këshill për të gjitha pozicionet e lartpërmendura.", u shpreh Emiri.

EMISIONET