Gjeta: Samiti i NATO-s nuk lidhet me protestat në Tiranë, aleanca nuk ndryshon axhendën për politikën e brendshme

Studiuesi dhe politologu Altin Gjeta deklaroi se organizimi i Samitit të NATO-s në Tiranë nuk ka asnjë lidhje me zhvillimet e brendshme politike në Shqipëri dhe nuk duhet të përdoret si instrument për përfitime politike.

I ftuar në emisionin “Ora e Betit” në “Ora News”, ai u shpreh se një aleancë si NATO nuk i përshtat vendimet e saj sipas interesave të një individi apo të një qeverie.

Sipas Gjetës, përpjekja e kryeministrit Edi Rama për ta paraqitur organizimin e samitit si një sukses personal politik tregon mënyrën se si ai e koncepton qeverisjen dhe raportin e Shqipërisë me partnerët ndërkombëtarë.

Ai theksoi se, pavarësisht se kush është në krye të qeverisë, nëse NATO ka vendosur ta zhvillojë samitin në Tiranë, ai do të mbahet, pasi bëhet fjalë për aleancën më të fuqishme politiko-ushtarake në botë, e cila nuk ndryshon axhendën për shkak të zhvillimeve politike në një vend anëtar.

Politologu argumentoi se kryeministri po përpiqet ta përdorë këtë ngjarje ndërkombëtare për të zbutur, sipas tij, situatën e vështirë politike që po përjeton, ndërsa përballet me protesta të vazhdueshme që kërkojnë dorëheqjen e qeverisë.

Ai e cilësoi këtë si një strategji të përdorur edhe më herët, përmes simbolikave dhe paraqitjeve në aktivitetet ndërkombëtare, të cilat, sipas tij, nuk kontribuojnë në forcimin e imazhit të Shqipërisë.

Gjeta u ndal edhe te situata e brendshme politike, duke përmendur hetimet ndaj ish-zyrtarëve të lartë të qeverisë nga SPAK dhe duke argumentuar se legjitimiteti ndërkombëtar nuk mund të përdoret si justifikim për të shmangur përgjegjësinë përballë qytetarëve.

Ai vlerësoi se protestat e zhvilluara prej javësh tregojnë një ndryshim në perceptimin e opinionit publik ku sipas tij, organizimi i Samitit të NATO-s nuk do të ketë ndikim në rritjen e mbështetjes politike për kryeministrin.

Altin Gjeta :Po nuk mendoj që ka lidhje kjo, sepse interesi shtetwror nuk mund të merret peng nga një njeri i vetëm, qoftë ky edhe kryeministri. Pra fakti që kryeministri Rama tenton që ta vendosë samitin e ardhshëm të NATO-s në funksion të interesit të tij politik personal, tregon shumë edhe për karakterin e tij dhe botëkuptimin e tij se si qeveriset Shqipëria, por edhe si e shikon ai marrëdhënien e Shqipërisë me një aleancë kaq të rëndësishme politike dhe ushtarake.

Unë mendoj që siç e thanë edhe kolegët, pavarësisht nëse është Edi Rama apo jo, apo është dikush tjetër këtu, nëse samiti është vendosur që do të organizohet në Tiranë vitin tjetër, ajo do të ndodhë dhe sigurisht NATO është një organizatë jashtëzakonisht serioze, është aleanca politiko-ushtarake më e fuqishme që ka njohur historia njerëzore dhe unë nuk mendoj që ata ndryshojnë axhendat në funksion të pozitës së Edi Ramës në Shqipëri apo dikujt tjetër. Kështu që janë dy ngjarje që nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën.

EMISIONET