"Administrata po përdoret për propagandë"/ Qori: Samiti i NATO-s nuk është medalje për demokracinë

I ftuar në emisionin "Ora e Betit" në Ora News, kryetari i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, komentoi pjesëmarrjen e Shqipërisë në samitin e NATO-s dhe mënyrën se si, sipas tij, administrata shtetërore po përdoret për qëllime propagandistike.

Qori u shpreh se funksionarët e administratës publike dhe diplomatët e karrierës nuk duhet të përfshihen në aktivitete që lidhen me promovimin politik të qeverisë, pasi roli i tyre është institucional dhe jo partiak.

"Ata nuk janë patronazhistë të Partisë Socialiste. Janë funksionarë të shtetit dhe nuk duhet t'i detyrojë njeri të marrin pjesë në ekzibicione apo shfaqje propagandistike me kryeministrin. Nuk e imagjinoj këtë në një shtet tjetër demokratik anëtar të NATO-s."-tha Qori.

Sipas tij, administrata duhet të mbetet e pavarur nga aktivitetet politike, ndërsa funksionarët e karrierës nuk duhet të përdoren si pjesë e imazhit të qeverisë.

Qori u ndal edhe te lidhja që po bëhet mes organizimit të samitit të NATO-s dhe situatës politike në vend, duke argumentuar se këto janë dy çështje të ndryshme.

"Protesta dhe samiti i NATO-s nuk kanë asnjë lidhje me njëra-tjetrën. Organizimi i samitit nuk është medalje për demokracinë e një vendi. NATO është në radhë të parë një aleancë gjeopolitike."-shtoi ai.

Në vijim të intervistës, ai solli si shembull organizimin e samitit në Turqi, duke argumentuar se zhvillimi i një aktiviteti të tillë ndërkombëtar nuk përbën tregues të nivelit të demokracisë së një shteti.

 

EMISIONET