"Pas kamerave u pa e vërteta"/ Salianji: Rama mbeti i vetëm në samitin e NATO-s

I ftuar në emisionin "Ora e Betit" në Ora News, ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, komentoi pjesëmarrjen e kryeministrit Edi Rama në samitin e NATO-s, duke e cilësuar përdorimin e kësaj vizite si pjesë të propagandës politike.

Salianji tha se, sipas tij, samitet ndërkombëtare po shfrytëzohen për të krijuar përshtypjen e një suksesi diplomatik, ndërsa rezultatet konkrete mungojnë.

"Janë spekulime që i jep vetë për të thënë që ky arrin fitore të mëdha. Se nuk ka çfarë t'u thotë më shqiptarëve. Cilat janë arritjet e Edi Ramës në politikën e jashtme? Cilat janë arritjet e Edi Ramës në çdo sektor të politikës së brendshme?"-tha ai.

Sipas tij, protestat e fundit në vend kanë nxjerrë në pah probleme të demokracisë dhe funksionimit të institucioneve, ndërsa vëmendja është zhvendosur te aktivitetet ndërkombëtare.

Gjatë intervistës, Salianji iu referua edhe pamjeve nga samiti, duke pretenduar se ato nuk përputhen me pritshmëritë që ishin krijuar për takime apo kontakte me presidentin amerikan.

"Ishte një video tjetër ku rrinte i vetmuar aty dhe kur kalonte presidenti amerikan nga pas, Edi Rama rrinte aty i vetëm. Nuk pati as takim bilateral me presidentin e Shteteve të Bashkuara, as foto dhe as ndonjë takim."-shtoi ish-deputeti.
Salianji e mbylli komentin duke u shprehur se, sipas tij, qytetarët nuk përfitojnë nga propagandimi i pjesëmarrjeve në samite, por nga rezultatet konkrete në politikën e brendshme dhe atë të jashtme.

 

EMISIONET