Diana shiste rrobat e saj për një arsye të veçantë/ Paratë i përdorte për...

Diana shiste rrobat e saj për një arsye të veçantë/

Gardëroba e princeshës Diana ishte ikonike dhe, sipas ish-shërbyesit të saj mbretëror, Paul Burrell, ajo shiste disa prej veshjeve të saj në dyqane rrobash të përdorura.

Arsyeja pse e bënte këtë është e papritur dhe lidhet me djemtë e saj, princin William dhe princin Harry.

“Disa fustane nuk ishin destinuar kurrë për ankande apo muze”, shkroi Burrell në librin e tij "A Royal Duty".

Burrell shtoi se ishte vendimi i Diana-s të shiste disa prej veshjeve të saj “për të siguruar para xhepi, sepse anëtarët e familjes mbretërore rrallë mbanin para në dorë”.

“Duke siguruar para në dorë, ajo mund t’i shpenzonte si të dëshironte, pa lënë gjurmë, dhe t’i çonte djemtë e saj, William-in dhe Harry-n, në kinema ose në McDonald’s”, vazhdoi ai.

Për William-in dhe Harry-n, Burrell shkroi: “Në paradoksin më të madh të jetës së tyre mbretërore plot luks, princat e rinj ishin të magjepsur nga paratë dhe nga mënyra se si fytyra e mbretëreshës Elizabeth zbukuronte çdo kartëmonedhë të çdo prerjeje”.

“Një kartëmonedhë 10 paundëshe ishte ‘Gjyshja kafe’, ndërsa një 50 paundëshe ishte ‘Gjyshja rozë’”, shkroi Burrell, duke iu referuar nofkës që Williami dhe Harry i kishin vënë gjyshes së tyre, mbretëreshës.

“Kur princesha u jepte para, ishte kënaqësi të shihje djemtë duke kërcyer nga gëzimi, duke shtrënguar kartëmonedhat në duar, zakonisht një ‘Gjyshja rozë’.”

Sa i përket ankandit të përmendur më herët te Christie’s, në qershor të vitit 1997, ideja për të shitur rrobat e Diana-s e për të mbledhur para për bamirësi kishte ardhur nga Williami.

Sipas The New York Times, eventi solli 3.25 milionë dollarë nga shitja e 79 fustaneve të mbrëmjes. Kjo do të thoshte një mesatare prej më shumë se 41 mijë dollarësh për fustan, shumë më tepër se vlera prej 5 mijë dollarësh që Christie’s kishte parashikuar për secilin prej tyre.

Paratë e ankandit shkuan për organizata bamirësie që mbështesnin luftën kundër kancerit dhe SIDA-s. Në event morën pjesë më shumë se 1100 persona, pa e ditur askush se deri në fund të verës ai do të merrte një kuptim edhe më prekës, pasi Diana do të vdiste në një aksident automobilistik në Paris, vetëm 36 vjeç, më 31 gusht.

Lord Hindlip, organizatori i ankandit dhe kryetari i Christie’s International, tha se Christie’s kishte mbledhur rreth dyfishin e shumës që kishte pritur, sipas The New York Times.

Drejtoresha krijuese e Christie’s International, Meredith Etherington-Smith, kishte vizituar shtëpinë e Diana-s në Kensington Palace për të parë fustanet e saj dhe ishte habitur nga një “dhomë mjaft e madhe” e mbushur plot me rroba.

Gjatë ankandit në Nju Jork, në qershor të vitit 1997, Diana qëndroi në Londër, por kërkoi që Christie’s t’i dërgonte rezultatet gjatë natës.

“Ajo dëshironte një faks që shërbyesi i saj t'ia sillte bashkë me tabakanë e mëngjesit”, tha Etherington-Smith.
Edhe sot, gati 30 vjet pas vdekjes së Diana-s, veshje dhe sende nga gardëroba e saj vazhdojnë të dalin në ankand.

Verën e kaluar, në Los Anxhelos u zhvillua një nga ankandet më të mëdha të sendeve të Diana-s, ku 300 objekte u nxorën në shitje.

Po ka një kategori veshjesh të Diana-s që nuk do të dalë kurrë në ankand apo në shitje: palltot e saj të dimrit. Këtë e ka thënë Martin Nolan, bashkëthemelues dhe drejtor ekzekutiv i Julien’s Auctions, organizator i ankandit të vitit 2025 “Princess Diana’s Style & A Royal Collection”.

“Nuk sheh kurrë një pallto të Diana-s në ankand, sepse ajo i kërkonte shërbyesit të saj, stafit ose miqve të udhëtonin nëpër Londër në janar, shkurt, në ditët e acarta të dimrit. Ajo gjente njerëz të pastrehë dhe u jepte palltot e saj”, tha Nolan. “Kështu ishte ajo: pa spektakël dhe pa bërë zhurmë.”

EMISIONET