Ekspozimi i “Tapestrisë së Bayeux-it” në Angli, një sukses historik që ndodh një herë në 1000 vjet

Ekspozimi i “Tapestrisë së Bayeux-it” në Angli,

Biletat e para për ekspozitën e Tapestrisë së Bayeux-it në Muzeun Britanik u shitën brenda pak orësh. Muzeu e quajti këtë “një reagim të jashtëzakonshëm” ndaj veprës artistike të shekullit XI, e cila ekspozohet jashtë Francës për herë të parë në gati 1,000 vjet.

Tapestria e famshme, e cila pasqyron pushtimin norman të Anglisë në vitin 1066, besohet se është realizuar nga qëndistarë anglezë. Kthimi i saj në atdhe i ka sjellë deri tani muzeut 2.5 milionë paund nga shitjet, duke e kthyer atë në ekspozitën më të suksesshme në historinë e këtij institucioni.

“Niveli i kërkesës pasqyron mundësinë unike që sjell kjo ekspozitë,” tha të enjten Nicholas Cullinan, drejtor i Muzeut Britanik.

Në deklaratën e muzeut bëhej me dije se radha e pritjes në internet arriti kulmin me 80,000 njerëz.

Udhëtimi sekret i thesarit kulturor

Franca konfirmoi korrikun e kaluar se muzeu me seli në Londër mund ta merrte hua tapestrinë. Vendimi u mor gjatë vizitës shtetërore të Presidentit Emmanuel Macron në Britani, ku ishte i ftuar i Mbretit Charles. Huadhënia e një thesari të tillë kulturor shihet si një shenjë e afrimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, pas tensioneve të shkaktuara nga votimi i Brexit-it në vitin 2016.

Tapestria 70 metra e gjatë është produkt i një periudhe të hershme konfliktesh anglo-franceze. Ajo u qëndis në vitet pasuese pasi Uilliam Pushtuesi (William the Conqueror), i mbështetur nga një ushtri normano-franceze, mori fronin anglez.

Vepra do të jetë e hapur për publikun në Londër nga shtatori i këtij viti deri në korrik të vitit 2027. Muzeu njoftoi se faza të tjera të shitjes së biletave do të pasojnë në muajt në vazhdim.

Detajet e transportit dhe ekspozimit

Dejku origjina e saktë e Tapestrisë së Bayeux-it mbetet e panjohur, ajo ka qëndruar në Francë për 950 vitet e fundit. Në javët e ardhshme, ajo do të transportohet drejt Anglisë përmes Tunelit të Kanalit (Eurotunelit). Detajet se si do të zhvendoset kjo vepër tashmë e brishtë, e punuar me fije leshi dhe liri, po mbahen rreptësisht sekrete.

Përshkrimi i detajuar i qëndisjes tregon përgatitjet për pushtimin e Uilliamit në Hastings dhe përplasjen brutale që pasoi kundër ushtrisë së sundimtarit anglo-sakson, Mbretit Harold. Në të përfshihet edhe skena e famshme ku Haroldi goditet me shigjetë në sy.

Për të shfaqur dhe mbrojtur këtë kryevepër, Muzeu Britanik ka krijuar një vitrinë të veçantë xhami, e cila konsiderohet si më e gjata në botë. Vizitorët do të kenë mundësinë ta admirojnë të gjithë gjatësinë e saj nga lart, si dhe ta vëzhgojnë atë në detaje nga afër.

EMISIONET