“Burrat nuk merren me poezi”/ Fraza që e shtyu Arben Çejkun drejt suksesit në letërsi
I ftuar në studion e emisionit “Drejt” në Ora News, Arben Çejku ka rrëfyer rrugëtimin e tij në letërsi, duke sjellë kujtime nga fëmijëria, përplasjet me mentalitetin familjar dhe ngjarjen që i ndryshoi drejtimin krijues.
Ai kujton se pasioni për leximin nisi që në vitet ’80, kur falë punës së babait si postier kishte mundësi të lexonte revista dhe gazeta letrare të kohës si “Drita”, “Zëri i Rinisë” dhe “Nëntori”.
Këto botime i binin në duar para se të shpërndaheshin dhe u kthyen në burim të hershëm frymëzimi.
Por përballja me familjen nuk ishte e lehtë.
Kur babai zbuloi fletoret e para me poezi, reagimi ishte i prerë dhe kundërshtues, duke e konsideruar poezinë si diçka që nuk i takonte burrave.
Ky moment u kthye në një pikë kthese, që e shtyu të vazhdojë më me vendosmëri rrugën e shkrimit.
“Kur babai pa fletoret e para me poezi, reagimi ishte i drejtpërdrejtë. Më tha se burrat nuk merren me poezi, se nuk ishin punë për meshkuj. Ishte një moment që më vuri përballë vetes, por në fakt më shtyu të vazhdoj më seriozisht me shkrimin.”-tregoi ai.
Vëllimi i parë me poezi u botua në vitin 1996 me redaktimin e Ramadan Musliut. Më pas, në vitin 2013, ai botoi romanin “12”, vepër që mbart një histori personale të thellë.
Romani lidhet me humbjen e vëllait në vitin 2000 dhe dhimbjen që ka shoqëruar autorin ndër vite. Struktura e librit ndërtohet mbi simbolikën e numrit 12, me 12 kapituj dhe ngjarje që zhvillohen në 12 muaj, duke reflektuar 12 vitet e distancës nga humbja.
“Romani ‘12’ lidhet me një histori personale. Kam humbur vëllain në vitin 2000 dhe dhimbja ka qenë e vazhdueshme. Në 2012, pas 12 viteve, lindi ideja për librin. Ka 12 kapituj, zhvillohet në 12 muaj dhe simbolizon atë mungesë që është kthyer në reflektim dhe shkrim.”-tha Çejku.


