Nga Trebeshina te Visar Zhiti / Isufaj: Si e shndërruan burgun dhe persekutimin në art shkrimtarët shqiptarë
Letërsia shqipe fsheh ende sekrete të errëta dhe mistere të pazgjidhura, ku tragjeditë personale të autorëve kanë lënë një shenjë të pashlyeshme në vlerësimin e veprave të tyre. Vuajtjet dhe persekutimet gjatë regjimit komunist nuk ishin thjesht ngjarje biografike, por u kthyen në akte të mirëfillta politike dhe estetike, duke formësuar një lloj letërsie të shkruar shpesh me gjak dhe sakrifica.
E ftuar në emisionin “Ora e Betit”, në “Ora News”, ishte studiuesja Viola Isufaj, e cila u shpreh se një nga rastet më absurde dhe befasuese të kësaj periudhe është ai i Mihal Hanxharit, i cili, edhe pse i mbijetoi ndryshimit të sistemit, refuzoi kategorikisht të botonte poezitë e tij. Kjo mungesë e thellë besimi ndaj lirisë së re e ktheu heshtjen e tij në një formë proteste dhe vetëmohimi.
Akoma më tragjik është fati i dorëshkrimeve të Mustafa Greblleshit. Autori i njohur për përkthimin e fuqishëm të "Një mijë e një netëve" dhe për fejtonet brilante me humorin e hollë të "Liut të Cacakut", e dogji plotësisht veprën e tij. Këto shkrime të zhdukura mbeten një nga copëzat më të munguara dhe më intriguese të pazëllit të letërsisë shqipe.
"Domethënë, krijohen ndjenja të tilla mallëngjyese të cilat mund të ndikojnë në afeksionin, në dashurinë, në ndjeshmërinë që kemi ndaj një autori, prozator ose poet, ose jo. Megjithatë, tek rastet e autorëve shumë të mirë që janë në majë të themi të kësaj dallge, është rasti i Mihal Hanxharit, i cili vetë nuk pranon të botojë edhe pasi është gjallë dhe jeton ende pas ndryshimit të sistemit, është e çuditshme. Domethënë, akti politik kthehet në akt estetik pastaj, s'ka besim te poezitë e veta, është e çuditshme.
Po ato do të na interesonin shumë me thënë të drejtën, shkrimet e djegura.
Ne kemi parë fuqinë e Greblleshit, të jashtëzakonshme, tmerrësisht të pashmangshme, tërheqëse shumë ndaj 'Një mijë e një netëve' për shembull. Dhe do të na interesonte shumë që të dinim...
Kemi bërë një dokumentar të mrekullueshëm për të, e kam shfaqur edhe në këtë kurs në universitet dhe kanë qenë shumë të interesuar studentët. Ka ndikuar dhe kjo.
Po vetë unë e shoh edhe në një anë tjetër këtë lidhjen me biografinë. Për shembull para një jave kur u bë tryeza shkencore të cilën e përmendët për Trebeshinën, përpiqem të shikoj disa harmoni të përsosura tek kryemodeli i tij, Odise Kote, dhe i shikoj si të thuash sekretet mrekullore të këtyre harmonive. Dikur jeta dhe vepra ishte një nocion që u përdor tepër shpesh, u tejkalua dhe u spekulua me të, por në këtë rast të gjitha aspektet jetësore të Trebeshinës, kalimi në spital psikiatrik ose raporti i hetuesisë që thotë 'ky nuk është i çmendur, ky ka ide të qarta', dhe pastaj njohja shumë e mirë e sistemit dhe e ligjshmërisë...
Patjetër, madje dhe e ligjshmërisë së ligjeve të kohës edhe të natyrës, e ndihmon atë që të shkrihet në jetën e një mendjeje dhe të ndërtojë një kryevepër të tillë.
Është fat që ai është në jetë sepse i takon jo vetëm brezit të parë. Nga brezi i parë kemi Visar Zhitin, po kemi Primo Shllakun që i takon dhe brezit të parë dhe të dytë. Dhe është fat i madh në rastin e Visarit i cili tregon dhe argumenton, përcakton, jep edhe detaje tejet befasuese. Është po ashtu rasti jo thjesht brezi i parë, por siç thoni, ai ishte në burg, shkroi në kushte të burgut, rast i pazakontë", u shpreh Isufaj.
Ndiqni emisionin e plotë:

