Apartamentet në Tiranë/ Çmimet dyfishohen në 5 vite, blerja e një shtëpie bëhet gjithnjë e më e paarritshme

Apartamentet në Tiranë/ Çmimet dyfishohen në 5 vite,

Çmimet e apartamenteve në kullat rezidenciale të Tiranës kanë arritur nivele rekord, me prona që shiten deri në 950 mijë euro, duke e bërë blerjen e një banese gjithnjë e më të vështirë për familjet shqiptare.

Sipas njoftimeve të agjencive imobiliare, një apartament me sipërfaqe 154 metra katrorë në kullën "Downtown One" ofrohet për rreth 950 mijë euro, ose mbi 6,200 euro për metër katror. Krahasuar me vitin 2021, kur çmimet në këtë objekt varionin nga 3,200 deri në 3,400 euro për metër katror, vlera e apartamenteve është rritur me 82-94%, pothuajse duke u dyfishuar.

Rritja e fortë e çmimeve nuk është shoqëruar nga i njëjti ritëm i rritjes së të ardhurave. Sipas INSTAT, paga mesatare mujore bruto në tremujorin e parë të vitit 2026 arriti në 90,119 lekë, me një rritje prej 9.6% krahasuar me një vit më parë, shumë larg ritmit të rritjes së tregut të pasurive të paluajtshme.

Ekspertët e tregut vërejnë se kërkesa për blerje ka nisur të bjerë. Drejtuesi i "Çelësi" Keydata Albania, Ylli Sula, thotë se hetimet e SPAK ndaj grupeve kriminale kanë ndikuar në ngadalësimin e investimeve në pasuri të paluajtshme, duke sjellë tërheqjen e një pjese të blerësve. Megjithatë, kjo rënie e kërkesës ende nuk është reflektuar në uljen e çmimeve.

Edhe përballueshmëria e banesave vijon të përkeqësohet. Sipas drejtueses së Colliers Albania, Stela Dhami, një çift me të ardhura mesatare në Shqipëri ka nevojë për rreth 15 deri në 19 vite për të blerë një apartament, ndërsa në vendet e Bashkimit Europian nevojiten mesatarisht 10 deri në 12 vite.

Ndërkohë, të dhënat e fundit të Bankës së Shqipërisë tregojnë se besimi në sektorin e ndërtimit është dobësuar gjatë muajit qershor, ndërsa pritshmëritë për rritjen e mëtejshme të çmimeve janë zbutur. Edhe pse çmimet e banesave vijojnë të rriten, ritmi i rritjes po ngadalësohet, duke sinjalizuar një ftohje graduale të tregut./MONITOR

EMISIONET