Banka e Shqipërisë nuk ndryshon normën bazë të interesit

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi dje të mbajë të pandryshuar qëndrimin e politikës monetare, duke mbetur vigjilent ndaj zhvillimeve në tregjet botërore dhe ndikimit të tyre në inflacion dhe në aktivitetin ekonomik në vend.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko në konferencën mujore për shtyp u shpreh se BSH do të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 2,5%.
Po ashtu, Sejko theksoi se do të mbahet e pandryshuar norma e interesit të depozitës njëditore, në nivelin 1,5%, si dhe norma e interesit të kredisë njëditore, në nivelin 3,5%.
Sipas Sejkos, qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm për momentin.
“Ky qëndrim mundëson përmbushjen e parashikimeve të skenarit bazë, duke i ofruar ekonomisë shqiptare kushte të përshtatshme monetare për kthimin e inflacionit në objektiv. Gjithashtu, ai adreson pasigurinë mbi ecurinë e ekonomisë dhe të inflacionit në të ardhmen, duke ofruar kohën e nevojshme për një vlerësim më të plotë të ndikimit që rritja e çmimeve të naftës do të ketë në inflacion”, u shpreh ai.
Po ashtu Sejko theksoi se reagimi i politikës monetare do të vijojë të orientohet, në çdo rast, drejt respektimit të objektivit të stabilitetit të çmimeve, duke u kujdesur që goditja e ofertës të mos shndërrohet në presione të qëndrueshme dhe afatgjata inflacioniste.
“Po ashtu Këshilli Mbikëqyrës do të vijojë të monitorojë me kujdes e në vazhdimësi situatën. Bazuar në të dhënat e reja, ai mbetet i gatshëm të reagojë në kohën, kahun dhe me forcën e duhur, ndaj çdo rreziku material mbi stabilitetin e çmimeve”, shtoi ai.
Sejko theksoi se politika monetare e kujdesshme dhe konsistente e ndjekur nga Banka e Shqipërisë ka vijuar të japë një kontribut pozitiv, nëpërmjet ruajtjes së stabilitetit monetar dhe krijimit të kushteve financiare të përshtatshme për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.


