1 NË 3 SHQIPTAR KA MAKINË / Rriten elektriket, por mbi gjysma janë prodhuar para 15-25 vitesh

Një në tre shqiptarë ka makinë, ndërsa po rritet interesi për automjetet elektrike. Megjithatë, në flotën rrugore vijojnë të dominojnë mjetet e vjetra, të prodhuara deri në 25 vite më parë.

Shqiptarët po orientohen gjithnjë e më shumë drejt makinave elektrike. Sipas të dhënave të INSTAT-it, numri i tyre u rrit me 91,2 për qind nga viti 2024 në vitin 2025.

Edhe pse automjetet me naftë vijojnë të dominojnë flotën rrugore, me 72,1 për qind të totalit, numri i mjeteve elektrike pothuajse u dyfishua brenda një viti, duke u rritur nga 6 mijë e 360 në 12 mijë e 89 automjete.

Rritje është regjistruar edhe te transporti publik. Në vitin 2024 u regjistruan për herë të parë tre autobusë elektrikë, ndërsa gjatë vitit 2025 numri i tyre arriti në 11.

Në treg po fitojnë terren edhe automjetet elektrike të prodhuara në Kinë, të cilat ofrohen me çmime më konkurruese krahasuar me modelet europiane dhe amerikane.

Zgjerimi i flotës elektrike ka nxitur njëkohësisht shtimin e pikave të karikimit në qytetet kryesore dhe përgjatë akseve kombëtare, megjithëse rrjeti mbetet ende në zhvillim.

Ndërkohë, Koreja e Jugut është kthyer në tregun kryesor të origjinës së automjeteve të regjistruara në Shqipëri. Nga rreth 1,1 milion mjete në vend, 21,4 për qind vijnë nga ky shtet aziatik, të favorizuara nga ofertat konkurruese.

Pas saj renditet Gjermania, me 15,4 për qind të totalit, një treg që vijon të preferohet nga drejtuesit shqiptarë për cilësinë dhe garancinë e automjeteve.

Tirana mban numrin më të madh të mjeteve, me 34,7 për qind të flotës kombëtare. Megjithatë, Durrësi ka nivelin më të lartë të motorizimit, me afërsisht një automjet për çdo dy banorë.

EMISIONET