Vr*sja e 19-vjeçarit në Itali/ Në pranga tre të rinj, mes tyre një shqiptar. Pista e hetimit të çon te larja e hesapeve midis bandave

Tre të rinj janë arrestuar në Itali si të dyshuar për vrasjen e 19-vjeçarit Youssef Rama Abdelaziz, i cili u godit me thikë gjatë një sherri në qytetin e Crema. Mes të arrestuarve ndodhet edhe një i ri me origjinë shqiptare.
Sipas autoriteteve italiane, 19-vjeçari u sulmua me disa goditje me thikë në gjoks gjatë natës mes 11 dhe 12 korrikut, në parkingun e një supermarketi në Viale Repubblica.
I plagosur rëndë, ai arriti të vraponte disa metra para se të rrëzohej. Më pas u dërgua në spital, por nuk arriti t'u mbijetonte plagëve.
Karabinierët arrestuan tre të rinjtë disa orë pas ngjarjes. Sipas mediave italiane, ata janë të moshës 23 deri në 25 vjeç. Mes tyre është një person me origjinë shqiptare, ndërsa dy të tjerët janë me origjinë afrikane.
Hetuesit kanë identifikuar njërin prej të dyshuarve falë dëshmisë së një personi që ishte i pranishëm në vendngjarje. Në zbardhjen e rastit kanë ndihmuar edhe pamjet e kamerave të sigurisë të vendosura pranë parkingut ku ndodhi sulmi.
Dyshimet paraprake janë se vrasja ndodhi gjatë një përleshjeje mes dy grupeve të rinjsh dhe mund të lidhet me një konflikt mes bandave rivale.
Tre të arrestuarit pritet të dalin para gjyqtarit hetues, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat dhe motivin e krimit.


