Ukraina do të dërgojë dronë në SHBA/ Pentagoni i përfshin në programin miliardësh të teknologjisë ushtarake

Ukraina ka arritur marrëveshje për eksportimin e dronëve në Shtetet e Bashkuara, ku sistemet e saj pa pilot do të marrin pjesë në programin “Drone Dominance” të Departamentit amerikan të Mbrojtjes.
Sipas burimeve të cituara nga Reuters, gjashtë kompani ukrainase kanë marrë autorizim për të eksportuar rreth 100 dronë secila, të cilët do të testohen nga autoritetet amerikane për të vlerësuar aftësitë dhe përdorimin e tyre në skenarë të ndryshëm.
Marrëveshja vjen pas suksesit të dronëve ukrainas në luftën kundër Rusisë, çka ka rritur interesimin ndërkombëtar për teknologjinë dhe përvojën e fituar nga Kievi në fushën e mjeteve ajrore pa pilot.
Programi “Drone Dominance” është një nismë miliarda dollarëshe e Pentagonit që synon zhvillimin dhe testimin e dronëve të vegjël sulmues nga prodhues të ndryshëm, me qëllim krijimin e sistemeve me kosto më të ulët dhe prodhim në shkallë të gjerë.
Raundi i parë i këtij konkursi u fitua nga një dron i zhvilluar nga kompania ukrainase Skyfall në bashkëpunim me firmën britanike Skycutter.
Pentagoni ka njoftuar më herët se do të investojë rreth 1 miliard dollarë gjatë dy viteve të ardhshme për blerjen e dronëve të vegjël luftarakë, në kuadër të përpjekjeve për të modernizuar kapacitetet ushtarake amerikane.
Ukraina ndërkohë ka nënshkruar marrëveshje të ngjashme për dronë me disa vende evropiane dhe të Lindjes së Mesme, ndërsa po punon për zgjerimin e eksporteve të teknologjisë së saj ushtarake.


