Shpërthime pranë centralit energjetik në Lipetsk të Rusisë/ Autoritetet nisin hetimet

Një zjarr shpërtheu pranë një centrali të kombinuar të ngrohjes dhe energjisë në qytetin rus të Lipetskut, gjatë natës mes 20 dhe 21 korrikut, pas aktivizimit të alarmit për sulm me raketa.
Banorët e zonës raportuan shpërthime të forta dhe më pas panë flakë pranë centralit të qytetit dhe fabrikës metalurgjike Novolipetsk. Deri tani nuk është bërë e ditur se cili objekt ka qenë objektivi i mundshëm i sulmit.
Në të njëjtën kohë, një tjetër zjarr i madh u raportua në qytetin Vsevolozhsk, në rajonin e Leningradit. Sipas Ministrisë ruse të Situatave të Emergjencave, flakët përfshinë një depo dhe një ndërtesë prodhimi në parkun industrial Ladoga, ku prodhohen materiale polimerike.
Zjarri në këtë zonë u përhap në një sipërfaqe prej rreth 5 mijë e 900 metrash katrorë, ndërsa autoritetet po punojnë për përcaktimin e shkaqeve.
Ndërkohë, autoritetet ruse kanë pretenduar se gjatë natës së 19 dhe 20 korrikut më shumë se 400 dronë kishin synuar rajonin e Moskës.
Përdorues të mediave sociale raportuan gjithashtu shpërthime dhe zjarre në disa zona të tjera, përfshirë një qendër logjistike në Podolsk, që i përket një prej kompanive më të mëdha të shitjeve online në Rusi.


