SHBA g*det Teheranin, përshkallëzohet konflikti me Iranin dhe rritet frika për një l*ftë më të gjerë

Lufta mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit ka hyrë në një fazë të re përshkallëzimi, pasi raketat amerikane kanë goditur objektiva në Teheran dhe zona të tjera strategjike të Iranit. Uashingtoni ka paralajmëruar një ndëshkim të madh ushtarak ndaj regjimit iranian dhe aleatëve të tij Houthi në Jemen, duke e akuzuar Teheranin për zgjerimin e konfliktit në rajon.
Pas sulmeve amerikane, forcat iraniane kanë reaguar duke goditur baza ushtarake amerikane në disa vende arabe fqinje, ndërsa kanë paralajmëruar se në shënjestër mund të vendosen edhe objekte jo-ushtarake të përdorura nga personeli amerikan.
Situata është tensionuar edhe në Detin e Kuq, ku rebelët Houthi kanë shpallur bllokadë detare ndaj Arabisë Saudite, ndërsa sulmet ndaj cisternave të naftës kanë tronditur tregjet ndërkombëtare, duke çuar çmimin e naftës mbi 100 dollarë për fuçi.
Sipas raportimeve nga mediat e huaja, për shkak të rrezikut në rritje, kompani të mëdha të transportit detar kanë ndryshuar itineraret e anijeve, duke shmangur zonat e konfliktit, ndërsa kostot e sigurimit janë rritur ndjeshëm. Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Irani do të mbahet përgjegjës për sulmet e kryera nga Houthit dhe ka lënë të hapur mundësinë e ndërmarrjes së operacioneve të tjera ushtarake kundër Teheranit. Nga ana tjetër, autoritetet iraniane raportojnë dhjetëra viktima dhe qindra të plagosur që nga rifillimi i përplasjeve, ndërsa përpjekjet diplomatike për rikthimin e negociatave mbeten të vështira.

