U p*ckua nga nëpërka, turistja australiane në Valbonë jashtë rrezikut pas ndërhyrjes së shpejtë

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale bëri të ditur se turistja australiane Amy Lecons, e cila u pickua nga një nepërkë në një zonë të thellë të Alpeve Shqiptare, gëzon shëndet të plotë pas ndërhyrjes së menjëhershme të ekipeve shëndetësore.
Sipas njoftimit të ministrisë, menjëherë pas marrjes së sinjalizimit për ngjarjen, ekipet mjekësore të Qendrës Shëndetësore Verore në Valbonë reaguan në kohë, duke i dhënë ndihmën e parë pacientes në terren dhe duke organizuar transportimin e saj drejt strukturave shëndetësore për trajtim të mëtejshëm.
“Në zemër të Alpeve Shqiptare, edhe në zonat më të thella malore, strukturat tona shëndetësore mbeten në gatishmëri të plotë për të garantuar sigurinë dhe jetën e çdo turisti”, thuhet në njoftimin e MSHMS.
Sipas ministrisë, falë profesionalizmit, koordinimit dhe përkushtimit të personelit shëndetësor, si edhe mbështetjes së banorëve të zonës, turistja mori trajtimin e nevojshëm dhe tashmë është në gjendje të mirë shëndetësore.
Vetë Amy Lecons ka ndarë në rrjetet sociale një video të regjistruar gjatë momenteve të vështira pas pickimit, ku rrëfen përpjekjet për të kërkuar ndihmë dhe ndërhyrjen që pasoi.

“Jam pickuar nga një gjarpër. Kam qenë në kontakt me bujtinën dhe ata mund të më dëgjonin kur thërrisja për ndihmë. Nuk e kam parë gjarprin, por ndihem shumë e sëmurë”, shprehet ajo në videon e publikuar.
Në vijim të rrëfimit, turistja tregon se pas trajtimit të marrë dhe kujdesit të stafit mjekësor, u rikthye në bujtinë për të vazhduar rikuperimin.
Ngjarja vë në pah gatishmërinë e strukturave shëndetësore që operojnë gjatë sezonit turistik në zonat malore të vendit, duke garantuar reagim të shpejtë edhe në raste emergjente në terrene të vështira.
