U ekstradua nga Gjermania, Gjykata e Posaçme cakton masën detyrim paraqitje për Denada Toda

Gjykata e Posaçme ka caktuar masën “detyrim paraqitje” për Denada Toda, e cila u ekstradua nga Gjermania drejt Tiranës për llogari të SPAK.
GJKKO pranoi kërkesën e prokurorit të SPAK, Behar Dibra, duke caktuar këtë masë më të lehtë sigurie ndaj Todës, e cila dyshohet për veprën penale “zbulim i të dhënave të akteve sekrete”, në kuadër të hetimeve të operacionit “Plumbi i Artë 2”.
Denada Toda është motra e Regis Runajt, i cili u vra në korrik të vitit 2020 në Elbasan. Për këtë ngjarje janë dënuar me vendim të formës së prerë Xhuljano Hoxha dhe Euglen Halili.
Sipas SPAK, gjatë periudhës shtator-tetor 2020, kur ushtronte detyrën si sekretare gjyqësore në Gjykatën e Elbasanit, Toda dyshohet se u ka përcjellë personave të ndryshëm dokumente sekrete, duke komprometuar sekretin hetimor. Ajo ka shërbyer për më shumë se 10 vite si sekretare gjyqësore në gjykatat e Tiranës dhe Elbasanit, ku ka punuar pranë ish-gjyqtares Pajtime Fetahu.

