TREGU I PUNËS PO NDRYSHON! Ekspertët: Shqipëria po kthehet në destinacion për punëtorët e huaj
Mungesa e fuqisë punëtore po ndryshon tregun e punës në Shqipëri, i cili sipas ekspertëve po kthehet gradualisht në një destinacion të emigracionit ekonomik nga vende të tjera dhe nuk shihet më vetëm si një vend tranziti. Në qershor të vitit 2026, numri i shtetasve të huaj me leje pune arriti në 22.7 mijë, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë.
Mungesa e fuqisë punëtore po ndryshon gjithnjë e më shumë tregun e punës në Shqipëri.
Bizneset po mbështeten te punonjësit e huaj, kryesisht nga vendet aziatike, të cilët tashmë nuk e shohin më vendin vetëm si një ndalesë të përkohshme drejt Europës Perëndimore.
Përballë nevojës së lartë për staf, kompanitë shqiptare janë detyruar të ofrojnë kushte më të mira pune dhe jetese, me synimin që punonjësit e huaj të qëndrojnë për periudha më të gjata.
Eksperti i punësimit Arbër Xhihani thotë se kjo prirje po e kthen gradualisht Shqipërinë në një destinacion emigrimi ekonomik.
Turizmi është sektori ku nevoja për punonjës ndihet më fort. Hotelet dhe restorantet, veçanërisht në zonat bregdetare, kanë rekrutuar një numër të lartë punëtorësh nga Filipinet dhe vendet arabe.
Punonjës të huaj po angazhohen edhe në bujqësi, një tjetër sektor që prej vitesh përballet me mungesë të krahut të punës.
Përfshirja e tyre në tregun vendas shoqërohet megjithatë edhe me vështirësi. Pengesa kryesore mbetet gjuha, e cila ndikon si në organizimin e punës, ashtu edhe në komunikimin me klientët.
Sipas Xhihanit, bizneset kanë nisur të ndërmarrin hapa për të lehtësuar përshtatjen e punonjësve dhe për të ngushtuar hendekun gjuhësor.
Të dhënat tregojnë se gjatë qershorit 2026 në Shqipëri ishin regjistruar 22,7 mijë shtetas të huaj me leje pune, niveli më i lartë i shënuar deri më tani. Rreth 16 për qind e tyre ishin shtetas filipinas.
Ndërkohë, italianët dhe shtetasit nga Kosova kryesojnë mes të huajve jorezidentë që janë pajisur me leje të posaçme si të vetëpunësuar, kryesisht për administrimin e bizneseve të tyre ose për zhvillimin e punës online nga Shqipëria.

