Nis marshimi në rrugët e Tiranës, protestuesit paralajmërojnë mobilizim kombëtar më 4 korrik!

Në fund të fjalimeve u bë e ditur se nesër protestës pritet t'i bashkohen edhe eurodeputetë, ndërsa organizatorët njoftuan mobilizim mbarëkombëtar për 4 korrikun.

Ka nisur marshimi i protestuesve në rrugët e Tiranës, në kuadër të protestës së 29-të kundër qeverisë. Pas përfundimit të fjalimeve para godinës së Kryeministrisë, pjesëmarrësit vijuan tubimin duke e shtrirë marshimin në akset kryesore të kryeqytetit, mes brohoritjeve dhe thirrjeve kundër qeverisë.

Gjatë protestës, një prej pjesëmarrësve bëri të ditur se organizatorët kanë paralajmëruar një protestë mbarëkombëtare, e cila do të zhvillohet më 4 korrik. Sipas tij, synimi është që qytetarë nga e gjithë Shqipëria t'i bashkohen tubimit në Tiranë.

Protestuesi deklaroi gjithashtu se në protestën e së hënës pritet të marrin pjesë edhe më shumë eurodeputetë, duke e cilësuar praninë e tyre si një mbështetje për kauzën e protestës.

Gjatë marshimit, turma brohoriti vazhdimisht sloganet "Ju erdhi fundi", "Revolucion" dhe "Shqipëri e re", thirrje që janë bërë të pranishme edhe në protestat e mëparshme. Atmosfera u karakterizua nga pjesëmarrja e qytetarëve që mbanin flamuj kombëtarë dhe pankarta me mesazhe kundër qeverisë.

Po ashtu qytetarët brohoritën vazhdimisht slogane kundër qeverisë si "Shqipëria kërkon revolucion", "Poshtë diktatura", etj.

Marshimi vijon nën mbikëqyrjen e forcave të Policisë së Shtetit, ndërsa protestuesit kanë deklaruar se do të vazhdojnë aksionin e tyre edhe në ditët në vijim, deri në realizimin e kërkesave që kanë artikuluar gjatë protestave.

 

EMISIONET