Ndërhyn në dosjen "Toyota Yaris"/ GJKKO kalon për gjykim dosjen ndaj Astrit Vladit dhe Eriona Daupajt

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur kalimin për gjykim të një çështjeje penale të referuar nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), në ngarkim të dy të pandehurve, Astrit Vladi dhe Eriona Daupaj.
Kërkesa e SPAK për dërgimin në gjyq të dosjes me nr. 26, datë 07.02.2024, ishte paraqitur më 3 prill 2025 dhe është shqyrtuar në seancën paraprake të zhvilluar më 25 qershor 2026.
Pas shqyrtimit të pretendimeve të palëve, gjykata ka vendosur pranimin e kërkesës dhe kalimin e çështjes për gjykim.
Sipas vendimit, Astrit Vladi akuzohet për “ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, në bashkëpunim dhe në disa raste, si dhe për “korrupsion aktiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”.
Ndërsa Eriona Daupaj akuzohet për “ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “zbulim të akteve ose të dhënave sekrete” dhe “korrupsion pasiv të funksionarëve të drejtësisë”, sipas disa episodeve të përfshira në dosje.
Në të njëjtin vendim përfshihet edhe një procedim tjetër penal në ngarkim të Astrit Vladit, i lidhur me të njëjtat akuza për ushtrim të ndikimit të paligjshëm.
Gjykata ka vendosur që çështja të kalojë për gjykim në themel pranë Gjykatës së Posaçme, me trup gjykues prej tre gjyqtarësh. Vendimi është i formës së prerë dhe nuk lejon ankim.
NJOFTIMI I PROKURORISË:
1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me datë 03.04.2025 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Dërgimin në gjyq të çështjes penale që i përket procedimit penal nr. 26, të vitit 2024, në ngarkim të të pandehurve Astrit Vladi dhe Eriona Daupaj.”. 2. Në seancën e datës 25.06.2026 (seanca paraprake), Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Paulin Çera, pasi shqyrtoi pretendimet e palëve, me vendimin nr. 17/89, datë 25.06.2026, vendosi: 1. Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë. 2. Dërgimin në gjyq të çështjes penale që i përket procedimeve penale Nr. 26, datë 07.02.2024, në ngarkim të të pandehurve Astrit Vladi, akuzuar për kryerjen e veprave penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike", e kryer në bashkëpunim, e kryer katër herë, parashikuar nga nenet 245/1, paragrafi (1) e 25 (sipas përmbajtjes para ndryshime me ligjin nr.43/2021) dhe “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, e kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 319 e 25 të Kodit Penal dhe Eriona Daupaj, e akuzuar për kryerjen e veprave penale: “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer katër herë, e kryer në bashkëpunim dy herë, të parashikuara nga nenet 245/1, paragrafi (2) e 25 (sipas përmbajtjes para ndryshime me ligjin nr. 43/2021); “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”, parashikuar nga neni 295/a paragrafi (3); “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, e kryer dy herë, parashikuar nga neni 319/ç të Kodit Penal; si dhe të procedimit penal Nr. 26/1/1, datë 18.07.2025, në ngarkim të të pandehurit Astrit Vladi, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, të parashikuar nga neni 245/1 paragrafi (1) të Kodit Penal (sipas përmbajtjes së kësaj dispozite para ndryshimeve me ligjin nr. 43/2021). Rruga “Jordan Misja” Nr.1, 1057 Tiranë; tel/fax 0035542231527; gjykata.gov.al 3. Dërgimin e çështjes për gjykim pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për t’u hedhur në short për gjykimin e themelit, e cila do të përbëhet nga tre gjyqtar. 4. Kundër këtij vendimi nuk lejohet ankim. Tiranë, më datë 25.06.2026 Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar


