Kultivonte bimë narkotike, arrestohet një person në Has

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Kukës ka urdhëruar arrestimin e shtetasit me inicialet Rr.U., i cili dyshohet për kultivim të bimëve narkotike, si edhe për prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake.
Sipas autoriteteve, gjatë kontrolleve të zhvilluara në fshatin Vlahen, në Bashkinë Has, u zbuluan tre parcela të mbjella me bimë të dyshuara cannabis sativa, ku në total u evidentuan 1,874 bimë narkotike.
Gjatë kontrollit të banesës së të arrestuarit, hetuesit sekuestruan 73 fishekë model 56 të kalibrit 7.62 mm, tre krehëra automatiku bosh, si dhe dy fitila zjarrpërcjellës.
Ndërkohë, hetimet janë në vijim për të identifikuar persona të tjerë që mund të kenë qenë të përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm.

