Gjata: Plazhet shqiptare pa mbrojtje reale. Kullat janë por mungojnë vrojtuesit

Sezoni turistik veror në Shqipëri ka nisur me një situatë shqetësuese në bregdet, ku vetëm gjatë muajit qershor janë regjistruar gjashtë viktima nga mbytja në ujë.

Problematika kryesore lidhet me mungesën e vrojtuesve të plazhit në shumë stacione turistike, pavarësisht detyrimit ligjor që çdo subjekt privat duhet të ketë rojtës plazhi përpara shfrytëzimit të hapësirës.

Në terren, shumë plazhe rezultojnë me kulla vrojtimi, por pa praninë e personelit përgjegjës, duke krijuar boshllëk në sigurinë e pushuesve.

Në studion e Ora News i ftuar ishte Gjergj Gjata, instruktor plazhi, i cili foli për situatën aktuale dhe funksionimin e kurseve të vrojtuesve gjatë vitit.

“Kurset zhvillohen gjatë gjithë vitit, por interesi rritet kryesisht në sezonin veror. Deri në qershor situata ka qenë e ulët sa i përket numrit të vrojtuesve në terren. Pas ngjarjeve të fundit është vënë re rritje e interesit.”-tha ai.

Në vijim u theksua se mungesa e vrojtuesve lidhet me dy faktorë kryesorë: neglizhencën e vetë pushuesve në respektimin e sinjalistikës ujore dhe mungesën e pranisë së rojtësve në shumë plazhe.

“Në shumë raste shohim vetëm kullat e vrojtimit, por jo vrojtuesin e plazhit. Subjektet e deklarojnë në dokumentacion, por në praktikë nuk janë të pranishëm në të gjitha stacionet.”-u shpreh Gjata.

Gjithashtu u bë e ditur se, edhe pse subjektet private e paraqesin në letra praninë e vrojtuesve, në terren kjo nuk reflektohet gjithmonë, duke lënë boshllëqe në sigurinë e pushuesve gjatë sezonit veror.

EMISIONET