BMW dhe Toyota testojnë benzinën e së ardhmes/ Automjetet lëvizin me karburant 100% të rinovueshëm

BMW dhe Toyota testojnë benzinën e së ardhmes/ Automjetet

BMW dhe Toyota, në bashkëpunim me Bosch dhe Repsol, kanë nisur një projekt pilot për testimin e automjeteve që funksionojnë vetëm me benzinë të prodhuar nga burime 100 për qind të rinovueshme.

Testimet po zhvillohen në Spanjë dhe synojnë të vlerësojnë në kushte reale nëse karburantet alternative mund të ndihmojnë në uljen e emetimeve të karbonit, pa pasur nevojë për zëvendësimin e menjëhershëm të miliona automjeteve ekzistuese.

Projekti gjashtëmujor përfshin rreth 20 automjete BMW dhe Toyota, të cilat do të përdorin karburantin “Nexa 95” të kompanisë Repsol. Ky karburant është krijuar për t’u përdorur në motorët aktualë me benzinë, pa kërkuar modifikime teknike në automjete apo ndryshime në infrastrukturën e furnizimit.

Bosch do të monitorojë procesin përmes një sistemi dixhital gjurmimi, i cili do të kontrollojë origjinën dhe ciklin e përdorimit të karburantit, nga prodhimi deri te konsumimi.

Prodhuesit argumentojnë se e ardhmja e automobilizmit nuk duhet të bazohet vetëm në një teknologji, si automjetet elektrike, por edhe në alternativa të tjera që mund të ndihmojnë në reduktimin e ndotjes.

Testimi vjen në një periudhë kur Bashkimi Evropian po diskuton mënyrat për të arritur objektivat klimatike dhe të ardhmen e motorëve me djegie të brendshme.

Nëse rezultatet do të jenë pozitive, karburantet 100 për qind të rinovueshme mund të shërbejnë si një zgjidhje për reduktimin e ndikimit mjedisor të miliona makinave që janë tashmë në përdorim.

 

EMISIONET