Vendimi tronditës për kampionin olimpik/ Antonino Pizzolato dënohet me 5 vite e 4 muaj burg , akuzohet për...

Vendimi tronditës për kampionin olimpik/ Antonino Pizzolato

Peshëngritësi italian Antonino Pizzolato, fitues i medaljeve të bronzta olimpike në Lojërat Olimpike Tokio 2020 dhe Lojërat Olimpike Paris 2024, është dënuar me pesë vjet e katër muaj burg pasi u shpall fajtor për përdhunim në grup ndaj një turisteje finlandeze.

Vendimi u dha nga Gjykata e Trapanit, e cila dënoi gjithashtu edhe tre të pandehurit e tjerë, Davide Lupo, Claudio Tutino dhe Stefano Monzovì, të gjithë me origjinë nga Agrigento.

Ngjarja për të cilën u zhvillua procesi gjyqësor daton pas një mbrëmjeje në qytetin e Trapanit, ku viktima, një 27-vjeçare nga Finlanda, kishte mbërritur në Itali për pushime së bashku me dy shoqet e saj. Sipas hetimeve, ajo ishte njohur me Pizzolatton dhe personat e tjerë gjatë një darke, përpara se grupi të vazhdonte mbrëmjen në një lokal pranë bregdetit.

Më pas, ndërsa dy shoqet e saj u kthyen në hotel, gruaja shkoi në banesën ku ndodheshin disa prej burrave. Sipas vendimit të gjykatës, aty ka ndodhur abuzimi seksual nga katër të pandehurit.

Gjatë procesit gjyqësor u bë e ditur gjithashtu se viktima kishte vënë re një prej personave duke filmuar me telefon një moment intim pa miratimin e saj. Ajo kërkoi që regjistrimi të fshihej, por sipas dëshmisë së saj situata u përshkallëzua.

Gruaja arriti të largohej vetëm pasi kërkoi me ngulm që të dërgohej në hotel. Të nesërmen ajo denoncoi ngjarjen në polici, duke nisur kështu hetimet që çuan në procesin gjyqësor.

Me vendimin e Gjykatës së Trapanit, kampioni olimpik dhe tre të bashkëpandehurit u shpallën fajtorë dhe morën dënime me burg për akuzën e përdhunimit në grup.

 

EMISIONET